Shkolla fillore “Emin Duraku” në Shtime ka njoftuar se sot është në ditë zie, për nderim të nxënësit të kësaj shkolle, Yll Ramadani, i cili vdiq të dielën në një aksident trafiku bashkë me familjen.
Në njoftimin e shkollës bëhet e ditur se Ylli ishte nxënës i klasës së katërt.
“Shkolla jonë sot në DITË ZIE. Dje si pasojë e një aksidenti komunikacioni, Yll (Naim) Ramadani (04.01.2011), nxënës i klasës së katërt ka ndërruar jetë bashkë me familjen e tij. Jemi të thyer thellë në zemër, gjithë trishtim e dhimbje. Të gjithë jemi të dëshpëruar nga kjo tragjedi, e cila erdhi pas pakujdesisë së vozitësve në rrugë! Ylli ishte nxënës i qetë, i lumtur dhe i hareshëm. Ai kishte një etje të vërtetë për të mësuar dhe i pëlqente të luante me shoqërinë e tij”, thuhet në njoftimin e shkollës.
Bëhet e ditur se me vendim të kryetarit të Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, do të pezullohen të gjitha aktivitetet në shkollën “Emin Duraku”.
Ndryshe, Ylli vdiq të dielën në një aksident trafiku bashkë me prindërit dhe gjyshen./Dijasot.com