Në Ditën Botërore të Zemrës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu apelon qytetarët ti drejtohen spitaleve për të kryer kontrollin e zemrës.
Apelit të ministres i shtohet edhe ai i prof. asc. dr. Altin Veshti, shefi i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, i cili flet për rëndësinë e shëndetit të zemrës, duke iu drejtuar një thirrje të gjithëve për të mos neglizhuar kontrollet për zemrën me qëllim parandalimin dhe zbulimin në kohë të problemeve shëndetësore.
Doktor Altin Veshti thotë se të gjithë qytetarët, në moshën 40-50 vjeç duhet të kenë kryer të paktën një herë një kontroll të zemrës.
Ai siguron se ky shërbim u ofrohet qytetarëve në të gjithë vendin nga veriu në jug, ndërsa thotë se tashmë secili spital ka të gjitha aparaturat e nevojshme për të kryer këtë vizitë.
“Çdo qytetar duhet të ketë bërë një vizitë midis moshës 40-50 vjeç. Mirë do të ishte të bënte vizitë edhe më herët, pasi shikojmë ulje të pacientëve me probleme të zemrës. Nuk dua të dëgjoj njeri që arrin në moshën 70-vjeçare dhe thotë me krenari që kurrë nuk kam bërë një vizitë. Ekzistojnë të gjitha mundësitë në spitalet shtetërore për të bërë një vizitë për zemrën. Ka kardiologë në të gjitha spitalet nga veriu në jug. Çdo marrje fryme, dhimbje gjoksi mbi 45 vjeç duhet marrë seriozisht dhe duhen bërë vizita”, thotë Veshti.
Gjenetika, duhani, diabeti, mosbërja e aktivitetit fizik janë disa nga faktorët.
“Kapja në kohë eviton shumë komplikimet”, shtoi ai./atsh/Dijasot.com