Shkruan: Anita Kadriu
Kosova na është renditur sot në Testin PISA e 76-ta për lexim dhe e 77-ta për shkencë, në mesin e gjithsej 80 vendeve të përfshira në këtë hulumtim (studimi më i madh ndërkombëtar në botë për arsim që bënë vlerësimin e nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë).
Askush në Kosovë nuk mundet t’i quajë këto rezultate të pritshme. Sidomos ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci. Si mund të presësh ministre këto rezultate?! Jeni në krye të këtij dikasteri për të na sjellë dhe pritur rezultate të mira. Mangësitë në sistemin arsimor që ndikojnë në cilësi të dobët mund t’i numërosh me qindra, por jo dhe t’i presësh, por t’i luftosh ato me detyrën që ke marrë, pozitën më të ndjeshme për një komb/shtet, e veçanërisht Kosovës.
Përderisa në shkollat tona nxënësit rrahen, therren me thika e vrahen mes vete, madje dhe mësuesit në fillore e profesorë në gjimnaze frikësohen nga ta ( e prindërit e tyre), cilat rezultate po i prisni në arsim?!.
E kam thënë dhe më parë, e vazhdimisht e theksoi se pa e eleminuar dhunën në shkollat tona, si dhe prindërit të mos guxojnë të kërcënojnë mësues e profesorë në shkolla; qoftë në ambiente shkollore, t’iu shkojnë në shtëpi, t’i thërrasin në telefon, të ndikojnë në rezultate ( me lidhje apo para), nuk ke arsimim, ke analfabetizëm që se kemi pasur as kur s’kemi pasur shkolla- shqip në këtë vendin tonë, por ka pasur edukatë familjare në shtëpitë tona, një trashëgimi dhe traditë e ruajtur që e mbrojti kombin tonë me fanatizëm nga pushtimet.
Së pari të mbroni mësuesit. Nuk mund të fajësohen mësuesit për rezultate të dobëta. Sistemi i ndërtuar në Kosovë, në arsim që nga paslufta ka gllabëruar edhe mësuesit. Një mësues nuk mund të vetëmbrohet/rrahet me një prind në korridor të shkollës apo para nxënësve të tij në klasë ku prindi i hyn si kapadai dhe i kërkon që të birin apo bijën e saj “as me sy nuk guxon ta shohësh lëre më ta notosh dobët.
“Pesëshe(5) dhe vetëm 5-she ndryshe ke punë me mua për djalin/ vajzën time”-, këtë si MOTO secila drejtori shkolle në Kosovë duhet ta vë në hyrje të shkollave, vetëm kështu do t’ia bëjmë të ditur çdo qeverie që vjen në pushtet se nuk ke punë vetëm me mafian ekonomike/financare, por dhe me mafian shkollore.
Të arrestosh vrasësit e grave me shpejtësinë e shteteve perëndimore sot është vërtetë lëvdat për qeverinë dhe një shenjë se më në fund ata që na ngacmojnë, dhunojnë e vrasin do prangosen, do ndëshkohen.
Por, Femicidin lufto në banka shkollore, jepi mësuesit të drejtat e tij. I kanë dhënë deri sot dreka e darka për vota, jepuni krahë të vendosin njëherë e përgjithëmonë shkolla të mira ku mësohet e shkohet me qejf nga fëmijët. Mos i leni në ankth e frikë përditë disa prindër tjerë sesi do t’u kthehen fëmijët nga shkolla, të rrahur, të therrur apo kufoma.
Ndalone marrjen e substancave narkotike. Nuk ka shumë punë, mjafton të vendosni nga një kamer në oborre të shkollave, o hiq më shumë se një kamer nëse nuk shkoni të inspektoni shkollat. Do shihni se shumica e fëmijëve në shkolla marrin drogë. Ju sigurojë se asnjëherë në shkrim lexim në testin PISA nuk do të merrni rezultate të mira nëse sytë dhe truri i fëmijëve në shkollat tona është “i fshirë nga droga”.
Armiku nuk të Lufton vetëm në veri, të Lufton dhe këtu.
Dikur thonin na kanë rrahur mësuesit në shkolla. E dënueshme dhe kjo. Arsyeja: nuk ke mësuar, je lazdruar. Dhuna kurrë nuk duhet të jetë forma që duhet zgjedhur për të eleminuar një të keqe.
Por, sot po rrahim ne mësuesit. Bashkëmoshatarët po rrahin e dhunojnë shokët e shoqet e klasës/shkollës. Pse? Janë bërë bossa të gjithë. Se në fëmijërinë tonë të pasluftës BOSSI është personfikimi i asaj që duhet arritur në jetë; Nuk është artisti, mjeku i mirë që të shërojë njerëzit, gjykatësi për të vënë drejtësi, polici që mund t’i drejtohemi për ndihmë,…Është Bossi/Shefi dhe ai mban armë, ai shet e pi drogë, ai ka veturë të shtrenjtë, ka xhip pra…. Dhe kështu kush është më i adhuruari apo adhuruara në mesin tonë, ndër nxënësit tonë, ajo apo ai që ka rroba me marka, që thith ngapak substancë narkotike, ajo/ ai është modernja, që kur kalon korridorit të shkollës i shmganen dhe mësuesit/mësueset: “ Ikë, ikë hiqu tij/saj a din qika apo djali i kujt është”. Te nota, as që bëhet fjalë krejt shkëlqyeshëm.
Të presësh këto rezultate PISA dhe të dorëzohesh para mafias në shkollë, të nisur së ndërtuari nga prindërit e fortë dhe me lidhje të forta në Kosovën tonë tash e 23 vjet është lehtë.
Mafian në rrugë e në institucione e lufton duke nisur së luftuari mafinë shkollore. Cilësinë e dobët në arsim e lufton, pra duke luftuar këtë. Dhunën në shoqëri duhet ta luftojmë me arsimim.
Sot, ministren duhen ta këshillonte dikush të mos arsyetonte kështu.
Për fund një këshill ministres Nagavci dhe gjithë atyre që vendosin për këshilltar/e: Në gjithë botën ministrat kanë këshilltarë, shumë pozitive, profesionale të të këshilloi e ndihmojë dikush për të çuar zhvillimin e dikasterit që udhëheq ti/ ai /ajo përpara, por jo të tipit “Naim Murseli’”, të tipit i joni , i besushëm, doket mirë me pa, por e kundërta e kësaj që po bëni: i dijshëm, i formuar e njeh fushën, do të bëjë vepra të mira.
Këshilltar, guxoni e thojuni kryeministrave e ministrave e ke gabim, edhe sikur të mbetesh në rrugë e pa punë. Do mbetesh sot, por jo përgjithëmonë, kjo nuk është pak, është vepër HEROI/HEROINE. Guximi intelektual është heroizëm sot.
Kuptone se Heroi dhe Heorina nuk vdesin veç me pushkë në dorë.
“Vdesin” çdo ditë edhe në përballje me një shoqëri të kalbur. Ndoshta, përmendore vërtetë s’do të kesh, por ky komb e kjo shoqëri do të ketë në jetëgjatësinë e saj një gur themeli dhe emrin tënd. Mirëpo, nëse don emër të të përmendet veç emri, natyrisht këtë gur në këtë themel s’do ta kesh.
Mjafton kjo që u tha në këtë shkrim deri ketu pa e theksuar domosdoshmërinë urgjente për reformim rrënjësor e përmbajtësor të kurrikules, pra sistemit shkollor në vend.
(Autorja është gazetare me fokus në çështjet e arsimit)