Këshilli i Ministrave vendosi përjashtimin nga ndalimi i gjuetisë për qëllime shkencore pasvaksinale të kafshëve të vaksinuara, në kuadër të projektit IPA 2020, “Kontrolli dhe çrrënjosja e sëmundjes së tërbimit – faza IV”, financuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas VKM-së, gjuetia e dhelprës së kuqe për marrjen e kampionëve të dhelprës kryhet në të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të territorit të zonave të mbrojtura mjedisore, përgjatë muajve shtator, tetor, nëntor 2023. Në VKM përcaktohet që brenda kësaj periudhe, gjuetia të kryhet në ditët e mërkurë, e enjte, e premte dhe e shtunë, raporton ATSH.
Për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, nëpërmjet gjuajtjes së tyre, do të angazhohen në të gjithë vendin 39 punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të pajisur me shenjë dalluese për këtë proces, për sigurimin në total të 324 (treqind e njëzet e katër) kampionëve të dhelprave të kuqe.