Deputetja përkrah Rugovës rrëfen për LDK-në dje dhe sot

Hapja e rrugës për vajzat dhe gratë në politikë, sikurse në çdo fushë apo profesion tjetër, u bë nga gra të forta parardhëse që këmbëngulën për të drejtat e tyre/grave të dëshmohen edhe në fushat që konsideroheshin që nuk janë për gratë si në politikë, polici, inxhinieri, ushtri...Një ndër to është dhe Qibrije Hoxha, aktivistja e pandalshme në Kosovë dhe jashtë saj.

“Beteja për të drejtat individuale të grave është këmbëngulje e gjatë dhe askush prej nesh nuk duhet të pranojë asgjë që e minon atë”, ka thënë Eleonor Ruzvelt, e cila quhej dhe “Zonja e Parë e Botës” në nder të arritjeve të saj në fushën e të drejtave të njeriut.

Por, rruga e grave për të drejtat e tyre dhe në përgjithësi për të mirën e përgjithshme të shoqërisë, vërtetë është përplotë sfida.

Tejkalimi i tyre kërkon kurajo të madhe, sidomos në mentalitetin ballkanas. Hapja e rrugës për vajzat dhe gratë në politikë, sikurse në çdo fushë apo profesion tjetër, u bë nga gra të forta parardhëse që këmbëngulën për të drejtat e tyre/grave të dëshmohen edhe në fushat që konsideroheshin që nuk janë për gratë si në politikë, polici, inxhinieri, ushtri…

Qibrije Hoxha, ish deputete e pas luftës nga radhët e LDK-së rrëfen për Dijasot.com jetën e politikanes që pavarësisht pengesave e sfidave ia doli të mos hiqte dorë asnjëherë nga rruga në shtetndërtimin e Kosovës.

E përfshirë në listën e deputetëve për garën parlamentare të vitit 2004 nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, i cili kishte një besim dhe vlerësim të veçantë për Hoxhën, si dhe njerëzit si Hoxha që dëshmonin angazhim institucional e kombëtar, ajo do të zgjedhet deputete e kësaj legjislature.

Hoxha deputetja përkrah Rugovës

Sakrifica e nënës shqiptare ndër shekuj për familje e komb, rishfaqet te Hoxha e cila vendos të kthehet nga Suedia ku kishte emigruar bashkë me familjen në vitet 89-ta, për të marrë pjesë në kuadër të partisë më të madhe LDK-së ku ishte që nga fillimi i saj.  Qibrije Hoxha nga viti 2004-2007 kryen misionin e saj si deputete duke qëndruar larg familjes dhe fëmijëve të vegjël, siç tregon ajo për të përmbushur fjalën që i kishte dhënë presidentit Rugova-të kthehet në Kosovë. Por, pas këtij mandati gjërat ndryshojnë dhe ajo mbetet e papunë, ndonëse përveç si aktiviste ishte e shkolluar si inxhinjere e teknologjisë e diplomuar në Fakultetin Teknik në Prishtinë.

Presidenti dr. Ibrahim Rugova dhe znj. Qibrije Hoxha

Periudha pas vdekjes së presidentit Rugova nuk ishte e lehtë për bashkëpuntorët e tij të ngushtë. Për së dyti, Hoxha detyrohet të largohet nga Kosova pranë familjes në Suedi, ku fillon një rilindje tjetër për të.

Hoxha nis nga e para angazhimin e saj tani në Suedi, duke mos u tërhequr asnjëherë nga politika dhe LDK-ja, por duke e përfaqësuar Kosovën në strukturat më të larta të shtetit suedez, ku kishte punuar një kohë dhe si gazetare në Radio Suedi, në programin e gjuhës shqipe.

Hoxha:  Abdixhiku po e ngrit LDK-në, po ruan themelet e saj

Gjatë vizitës në Kosovë, për të marrë pjesë në Kuvendin zgjedhor të strukturave të LDK-së, Hoxha beson se LDK-ja e sotme po kthehet fuqishëm në gjenezën e saj. Dhe tërë këtë ia atribuon kryetarit të tanishëm Lumir Abdixhiku.

“Lumiri e ngriti LDK-në. Lumiri fitoi zgjedhjet lokale. Lumiri u angazhua për formimin e degëve dhe nëndegëve të reja në Mërgatë. Angazhoi ekip, i bindi njerëzit me energji pozitive që të angazhohen në LDK”, thotë Hoxha.

Sipas saj Abdixhiku po ruan themelet e LDK-së. Një veprim tregues në këtë rrugë e quan dhe hapjen e shkollës politike, sipas modelit të një partie moderne demokratike evropiane.

“Energjia, ndershmëria, profesionalizmi i tij po e ngrit LDK-në. Programi i LDK-së për popullin është pragmatik. Lumiri beson në atë që po bën. Ai beson në LDK-në si parti e qendrës së djathtë. Themelet e kësaj partie-Rugovizmin e don dhe e afirmon”, thotë Hoxha për Dijasot.com

LDK-ja në krye me Abdixhikun, ajo vlerëson se po e rikthen besimin e njerëzve te kjo parti, si një parti për qytetarin dhe zhvillimin e vendit. “Besoj në idenë si parti e djathtë, me vlera demokratike e cila angazhohet për të mirën e qytetarëve , si dhe afirmimin e vlerave dhe traditave të lashta shqiptare”.

Personalisht, ajo thotë se LDK-në deri tani e ka mbajtur fortë filozofia politike e Rugovës, e cila ka rrënjët në filozofinë antikomuniste dhe në djathtizëm.

Znj. Qibrije Hoxha gjatë vizitës në familjen Rugova

“Të besohet në LDK-në si parti e djathtë”

Si vajzë e rritur në një familje antikomuniste dhe me orientim të djathtë demokratik, ajo rrëfen dhe peripecitë e familjes kosovare që kaloi në sistemin ish-jugosllav. Burgosjet, torturat, vrasjet, pastaj dëmet materiale me konfiskimin e pasurive ndaj këtyre familjeve nuk harrohen lehtë dhe janë ende të freskëta në memorien e çdo shqiptari, thotë Hoxha.

Ajo bënë të ditur se që të gjitha këto familje, pastaj u bashkuan me LDK-në për të kundërshtuar çdo formë që synonte zhdukjen e identitetit kombëtar shqiptar.

Në këtë drejtim, Hoxha i ka vënë vetës dhe një synim si kryetare e degës së LDK-së për Suedinë Veriore, siç potencon të rikthejë kontaktet e politikanë dhe institucionet suedeze me Kosovën dhe si degë të angazhohen në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar në mesin e komunitetit shqiptar në Suedi.  

Nga ky angazhim ajo thotë se do pasojnë projekte ndryshme në arsim e kulturë, projekte të LDK- që t’i vihet në ndihmë Kosovës përmes tyre nga Suedia.

Të rinjët shqiptarë në Suedi të suksesshëm, prekin majat e këtij shteti

Synimi i saj përfshin që pranë kësaj dege të afrohen profesionistë /gjenerata e re e shqiptarëve në Suedi me LDK-në, të njoftohen me programin e LDK-së të hartuar nga Abdixhiku me ekspertë për “Rrugën e re”. Ndërsa, thekson se në kontakt me forumin e grave të LDK-së do punojnë në projekte që do të ndërmirren për barazi gjinore dhe mbrojtje të drejtave të grave.

“Komuniteti shqiptar në Suedi, gjeneratat e reja janë të integruara mjaft mirë në shoqërinë e këtij shteti. Kanë depërtuar në pozita të larta udhëheqëse, dhe janë zgjedhur deri edhe në parlament. Pra, një pjesë e madhe janë arsimuar dhe tani punojnë në institucionet suedeze. Krenohemi me të rinjët e që po ruajnë dhe vlerat tona dhe e theksojnë identitetin kombëtar kudo që janë. Të afirmuar në shoqërinë sudeze janë mjaft, sidomos sportistët të cilët madje simbolin e shqiponjës e bëjnë në paraqitjet e tyre, siç kemi të sukseshmen Kosovare Asllanin dhe shumë të tjerë në futboll që marrin pjesë”, thotë Hoxha për Dijasot.com

Ndërsa, një brengë e saj ku premton se do të punojë është mësimi shqip.  Ndonëse, në shtetin suedez mësimi i gjuhës amtare është rregulluar me ligj dhe paguhet, megjithatë ajo thotë se ka rënë interesimi i fëmijëve që të ndjekin mësimin plotësues shqip, prandaj duhet të përpiqemi që ta përmirësojmë këtë situatë, shprehet Hoxha.

Qibrije Hoxha, kryetare e degës së LDK-së për Suedinë Veriore

Dega e LDK-së Veriore në Suedi /projekte të reja në Kosovë nga Suedia

“Si degë kemi synim që të ndikojmë dhe të kultivojmë ruajtjen e identitetit tonë. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me prindërit për të shfrytëzuar të drejtën e çdo fëmije për të mësuar gjuhën amtare”. Në kuadër të degës së LDK-së për Suedinë Veriore, ajo thotë se angazhohet dhe rinia, do ketë mbajtje të ligjëratave dhe një bashkëpunim të rinisë këtu me rininë në Kosovë.

Por, jo më pak të rëndësishme dhe ku do të përqëndrohet më shumë kjo degë, ajo thekson lidhjen e komunave dhe shkollave suedeze, me shkollat dhe komunat në Kosovë, që të ketë përfitime Kosova. “Synim i Degës së LDK-së për Suedinë Veriore është edhe bëjë shkëmbimin e përvojave në fushën e kulturës me personalitete të kësaj fushe në Suedi me Kosovën”, vazhdon Hoxha.

“Jemi në rrugë që të identifikojmë edhe njerëz të fushës së biznesit në Suedi dhe të krijomë mundësi që ata të kontribuojnë me projekte dhe investime në Kosovë.

Dhe në fund, përvoja e krijuar e funksionimit të demokracisë në këtë shtet paraqet një aset shumë të rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë, për momentin, të brishtë në Kosovë. “Ne në Suedi i kemi mundësi, kemi njerëz të gjeneratave të ndryshme të cilët mund të realizojnë projekte të tilla me ndihmën e shtetit suedez. Por ajo që është edhe më e rëndësishme, ne kemi obligim që Kosovës t’ia përcjellim këtë përvojë të demokracisë, gjë e cila ndikon në zhvillimin e gjithëmbarshëm  si dhe integrimet evropiane të cilat na presin, kurdo që të ndodhin”, përfundon Qibrije Hoxha.

Qibrije Hoxha e ka botuar edhe librin “Për Kosovën institucionale” ku shkruan për aktivitetet në nivel qendror gjatë viteve të 90’ta. Ajo është edhe drejtoreshë e TV Rugova./Dijasot.com