Çfarë të bëjmë që fëmijët të kalojnë sa më lehtë këtë situatë në të cilën gjendemi?

Dr Arbrore Ulaj, psikiatre për fëmijë

Situata në të cilën po kalojmë nuk është aspak e lehtë jo vetëm për neve të rriturit, e veçanërisht për fëmijët.

Ata këtë kohë e kanë më të vështirë për arsye se ata janë mësuar me një ditë krejt ndryshe nga ajo që po e kalojnë këto ditë. Janë mësuar të shkojnë në kopshte, në shkolla, në aktivitete sportive, në kurse të ndryshme e tani papritmas çdo gjë ka ndryshuar.

Andaj është shumë e rëndësishme sesi të bisedojmë me fëmijët në këtë periudhe dhe t’ua bëjmë më të lehtë atyre që t’i kalojnë këto ditë.

Së pari është shumë e rëndësishme të bisedoni me ta dhe t’ua shpjegoni se një situatë e tillë është në gjithë botën e jo vetëm tek ne, se nuk dihet sa do zgjasë, por që patjetër që do të përfundojë.

Pastaj duhet t’i tregoni se sa janë të rëndësishme rekomandimet që japin institucionet e vendit dhe ato botërore, që t’i pastrojnë duart më shpesh dhe të mos dalin të luajnë jashtë shtëpisë dhe as me shokët e tyre që i kanë në lagje sepse në këtë mënyrë e parandalojnë përhapjen e virusit.

D.m.th duhet t’u jepen instruksione të qarta dhe të sakta e jo tu ikim pyetjeve që na bëjnë ata dhe t’i lëmë fëmijët të ketë më shume frikë për shkak të mosinformimit të drejtë nga ana jonë.

Meqë keni kohë të mjaftueshme të rrini me ta, atëherë shfrytëzojeni këtë në mënyrë sa më konstruktive.

Luani bashkë me ta ndonjë lojë të preferuar të tyre si lojërat që luhen brenda në shtëpi, por nëse keni oborr atëherë edhe më mirë mund të luani futboll ose çfarëdo loje që ju dhe ata e luani më me dëshirë.

Lexoni me ta librat që atyre u pëlqejnë, më shumë vizatoni bashkë, shikojeni ndonjë film që keni bërë plan më herët ta shikoni bashkë, por nuk keni pasur kohë ta bëni atë ose thjesht vetëm uluni dhe bisedoni me ta për gjërat që ata i pëlqejnë ose për shqetësimet që ata mund të kenë.

Është e rëndësishme që ne edhe nëse kemi frikë të përpiqemi ta menaxhojmë atë sepse do ta përcjellim atë te fëmijët edhe pse ne mundohemi ta fshehim atë, ata do ta kuptojnë.

Ju përshëndes duke shpresuar që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe më me pak pasoja dhe çdo gjë t’i kthehet normalitetit sa më parë.