Çfarë është takimi i klimës COP që Greta Thunberg e kritikon ashpër?

Emiratet e Bashkuara Arabe po e presin samitin e klimës COP, i cili do të mbahet për herë të 28-të nga fundi i nëntorit deri në mes të dhjetorit. Por çfarë është saktësisht COP dhe cilat janë qëllimet e tij?

COP është një shkurtim i Konventës së palëve, 198 sosh që nënshkruan Konventën Kornizë origjinale për Ndryshimet Klimatike në Brazil në 1992.

Që nga viti 1995, COP-ët janë mbajtur çdo vit, me përjashtim të edicionit të 26-të në Glasgow, i cili u shty për një vit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Takimi në Emiratet e Bashkuara Arabe mori emrin COP28, pas edicionit të 27-të që u mbajt vitin e kaluar në Sharm-el-Sheikh të Egjiptit.

Sukseset dhe dështimet

Negociatat e gjata, komplekse dhe ndonjëherë të tensionuara mes liderëve botërorë duhet të rezultojnë në një deklaratë përfundimtare këtë vit, e cila shpesh publikohet shumë prapa afatit, shkruan agjencia France Presse, transmeton Dijasot.com

Në margjinat e takimit mbërrijnë lobistë të shumtë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ndërkombëtare dhe vëzhgues të tjerë. Marrëveshjet duhet të arrihen me konsensus, që do të thotë se duhet të pajtohen pikëpamjet dhe interesat e ndryshme, të gjitha me qëllim të luftimit të ndryshimeve klimatike.

Kritikët theksojnë se përfundimet e COP-it nuk janë mjaftueshëm thelbësore në lidhje me shpejtësinë me të cilën po ndryshon klima botërore, me pasoja gjithnjë e më shkatërruese.

Aktivistja suedeze Greta Thunberg i quan fjalë koti. Edhe pse shumë nga COP-ët kanë qenë të pasuksesshme, ai i mbajtur në Paris në 2015 rezultoi në Marrëveshjen monumentale të Parisit, të ratifikuar nga 195 vende. Është marrëveshja e parë që bashkoi komunitetin ndërkombëtar me synimin për të mbajtur temperaturën globale në “shumë nën” dy gradë në krahasim me periudhën para-industriale, ose në 1.5 nëse është e mundur.

Në takimin në Glasgow në vitin 2021, lëndët djegëse fosile u shpallën burimi kryesor i ngrohjes globale për herë të parë, por nën presionin e Kinës dhe Indisë, teksti përfundimtar nuk kërkonte braktisjen e plotë të tyre, por reduktimin e përdorimit të qymyri.

Çfarë të pritet këtë vit?

Një rekord prej 80,000 personash priten në COP28 këtë vit, pretendon presidenca e Emirateve të Bashkuara Arabe. Mes tyre do të jetë edhe Papa Françesku. Emiratet janë nën kritika edhe para fillimit, sepse zgjodhën Sulltan Al Jaberin, kreun e kompanisë kombëtare të naftës ADNOC, si kryetar të takimit.

Por Jaber dhe të tjerët e shohin konferencën si një mundësi për përfaqësuesit e kompanive energjetike që të diskutojnë tranzicionin e gjelbër nga lëndët djegëse fosile, sërish temë kryesore e diskutimit.

Presidenca e COP-it ka vendosur synime konkrete për vitin 2030: të trefishojë kapacitetin e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme në botë, të dyfishojë efikasitetin e energjisë dhe prodhimin e energjisë nga hidrogjeni.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe për herë të parë do të diskutohet progresi i botës në arritjen e synimeve të Parisit. Një raport teknik i botuar në shtator arriti në përfundimin se bota është larg nga planifikimi dhe se “duhet shumë më tepër në të gjitha frontet”.

Si gjithmonë, paratë do të jenë në qendër të diskutimeve. Vendet e pasura kanë premtuar ndihmë financiare për vendet në zhvillim për t’i ndihmuar ato të përballen me pasojat e ndryshimeve klimatike dhe tranzicionit, por ky premtim nuk është përmbushur ende./Dijasot.com/Përktheu dhe përshtatiD.G.