Artistja nga Skenderaj synon rekordin e katërt botëror me origami – VIDEO

Artistja e origamisë Arbnora Fejza Idrizi planifikon t’ia kushtojë rekordin e katërt në Guinness flamurit kombëtar, më 28 nëntor. Mirëpo, ajo nuk ndahet e kënaqur me vlerësimin nga ana e institucioneve të Kosovës.

Arti për t’i dhënë formë letrave, duke mos përdorur asgjë tjetër, është veprimtaria që ka zhvilluar për disa vite, Arbnora Fejza Idrizi.

Veprat e saj në origami janë çertifikuar nga Libri i Rekordeve Guinness si rekorde botërore ku deri më sot ajo mban tri prej tyre dhe jo vetëm kaq, pasi është duke planifikuar rekordin e katërt.

Më parë ia kishte kushtuar flamurit të Kosovës, kurse këtë herë do t’ia kushtojë flamurit të Shqipërisë.

Në një intervistë për KALLXO.com, Idrizi ka treguar se fillimet kanë qenë të vështira, pasi që kostoja për ta realizuar një rekord botëror është shumë e lartë.

Kur s’ka pasur mundësi t’i mbulojë shpenzimet e rekordeve tjera, është dashur t’i riciklojë, përpunoj letrat e rekordeve të më hershme.

Pavarësisht sukseseve, Idrizi nuk është e kënaqur me vlerësimin që i kanë bërë institucionet e Kosovës deri më sot, sepse ka pritur një mbështetje pak më të madhe.

“Me thënë të drejtën nuk jam edhe shumë e kënaqur, sepse ka pasur mundësi ndoshta me pas një mbështetje më të madhe, mirëpo Ministria ka ndarë një kosto minimale, të cilën ndoshta nuk ka qenë e përballueshme për mua dhe është dashur ndonjëherë edhe shpenzimet t’i mbulojë edhe vet” – është shprehur Idrizi.

Idrizi ka treguar se, përkundër ftesës asnjë zyrtarë nga Ministria e Kulturës nuk ka marrë pjesë në ceremonitë e projekteve të mëparshme.

Ministria e Kulturës ka thënë për KALLXO.com se kjo ka ndodhur për shkak se nuk i ka monitoruar ato aktivitete.

‘‘Sa i përket pjesëmarrjes në aktivitete, Ministria e Kulturës nuk ka obligim të marrë pjesë në të tilla, përveç atyre që monitoron. Natyrisht monitorim do të ketë edhe në projektin e Znj.Arbnora Fejza Idrizi që do ta realizoj këtë vit’’ – kanë thënë nga ministria.

Për rekordin e katërt ajo planifikon ta përpunojë flamurin kombëtar me 5000 pjesë letre dhe 5000 veshje kuq e zi.

Kjo vepër pritet të realizohet më 28 nëntor të këtij viti dhe do të vlerësohet fizikisht nga zyrtarë të Guinness, të cilët do ta vizitojnë Kosovën për herë të parë.

Duke pasur parasysh koston e këtij projekti ajo ka kërkuar mbështetje nga Ministria e Kulturës në Kosovë, të cilët sipas saj, i kanë dhuruar një shumë prej 11,000 eurosh.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Kulturës e ka konfirmuar për KALLXO.com këtë mbështetje që i është ndarë Idrizit në vitin 2022.

Për shkak se Idrizi nuk e ka mbuluar të gjithë shumën e nevojshme për projektin, i është dashur t’i kërkoj ministrisë që ta zgjasë afatin për realizimin e projektit deri në fund të vitit 2023.

Kështu që, artistja nuk është shumë e kënaqur me këtë shumë të ndarë dhe nuk ka pasur mundësi ende të bisedoj me Ministrinë e Kulturës që t’iu kërkoj një mbështetje pak më të lartë.

‘’Sa i përket asaj që përfituesja nuk është e kënaqur me shumën, ne nuk kemi çfarë të shtojmë në këtë pikë. Znj. Arbnora Fejza Idrizi ka nënshkruar kontratën në pajtim të plotë, pra ka pranuar atë shumë të parave .. Ne vlerësojmë që 11,000 Euro janë një shumë e konsiderueshme parash, dhe natyrisht secili individë është i lirë që të kërkoj financim edhe në të tjera burime’’ – janë përgjigjur nga ministria.

Ajo poashtu ka bërë kërkesë për mbështetje edhe në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, të cilët sipas saj nuk i kanë ofruar mbështetje për këtë vit.

Drejtori i Kulturës në komunën e Skënderajt, Alban Berisha, ka thënë se kanë vlerësuar ta mbështesin këtë vepër me një shumë prej 500 euro, mirëpo Idrizi e kishte refuzuar.

‘’Znj. Fejza Idrizi ka refuzuar të nënshkruaj kontratën për projektin e mbështetur nga DKRS-ja. Ne nuk kemi pranuar ndonjë ankesë me shkrim nga zonja në fjalë dhe nuk kemi arsye se përse e ka refuzuar mbështetjen nga DKRS-ja.’’ – ka shkruar në përgjigjen e tij, Berisha.

Për shkak se nuk është mbështetur deri më sot sa duhet, ajo ka lënë si mundësi të dytë që ta realizoj projektin e 28 nëntorit me 200,000 pjesë letre.

Përgjatë realizimit të veprës, Idrizi ka thënë se ka një kohë të limituar për ta realizuar atë dhe se ndër rregullat kryesore të Guinness është të mos griset letra.

Artistja kosovare si rezultat i këtyre pakënaqësive mendon ta lë Kosovën, duke qenë se është interesuar një shtet tjetër që ta përfaqësoj atë në Guinness.

“Kisha dashur që shteti im domethënë Ministria e Kulturës, ta marr komplet përsipër punën time, në mënyrë që unë mos të kem atë stresin se a do të mundem m’i organizu, m’i siguru mjetet, letrat me arrit me siguru vendin (punues) .. ndoshta gjendja pak ma e vështirë po më bën me mendu që ndoshta në një vend tjetër do të kisha gjet një mbështetje më të mirë” – tha ndër të tjerash, Idirizi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Tri rekordet që ka realizuar Idrizi kanë qenë, lulja më e madhe në botë (1 shtator 2018), vazo më e madhe në botë (6 shtator 2019) dhe flamuri më i madh në botë (flamuri i Kosovës, 6 shkurt 2021).

Pas rekordit të tretë ajo ishte shpërblyer me një pozitë nga Komuna e Skënderajt, si drejtoreshë e institucionit parashkollor.