Anita Kadriu: ELEGJIA E NËNËS

Poezi nga Anita Kadriu

(Kushtuar të gjitha nënave që fëmijët e tyre ju vranë në luftë nga forcat serbe)

Eh, sikur të të prekja dhe një herë flokët

Ose të t’i shtrëngoja duart

Të të shikoja thellë në sy

Të të thosha se rruga jote mund të jetë edhe pa kthim

Atë ditë binte shi

Sot është ngrohtë

Pranë varrit tënd qëndrojnë kurora

Pranë varrit tënd rrinë ushtarët nderim

Ata rrinë gatitu, biri im, dhe ti je i shtrirë

I shtrirë në lavdi dukesh mirë

Të shtrij dorën dhe të prek varrin

Kam frikë se ta lëndoj plagën

Të dhemb ende aty ku plumbi të goditi?

Apo t’u shërua shpirti ta jepje jetën për të gjithë?

Të tjerët të kujtojnë si hero.

Unë të kujtoj si biri im i mirë

Të tjerët të kujtojnë si trim

Unë të kujtoj si strukeshe në prehrin tim

Të tjerët të kujtojnë si e deshe më shumë atdheun se jetën

Unë i kujtoj sytë e tu kur linde plot me dritë

Ende e ndjej aromën tënde si foshnjë dhe më vjen ta prek trupin e njomë e të brishtë

Të tjerët prekin armët e tua e thërrasin në ty

Im bir nuk më zgjodhi mua, zgjodhi Kosovën

Unë zgjedh sot të vuaj në heshtje për ty biri im

T’ia fal vendit bekimin tim.