Alarmante: 1300 nxënësve u rrezikohet jeta nga shembja e shkollës së stërvjetëruar (Foto)

“Nesër, ndoshta na bie gjithë tavani e na zë 1300 nxënës. E di që atëhere do të reagoni por ju lutem reagoni pak më herët. Reagoni sot. A është kjo liria për të cilën luftuan heronjët tanë?”, alarmon mësuesja e gjimanzit në Ferizaj Zoja Lohaj Konjufca.

Gjendja e tmerrshme e gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj ku nxënësit mbajnë mësim në objektin e stërvjetëruar, është denoncuar nga mësuesja e kësaj shkolle, Zoja Lohaj Konjufca.

Në një postim të saj në rrjetin social në Facebook, Lohaj Konjufca u ka bërë thirrje njerëzve vullnetar që të ndihmohet renovimi i kësaj shkolle dhe të shpëtojnë jetërat e nxënësve që rrezikohen nga shembja e shkollës.

Me moton  “Shoqni a më ndihmoni në këtë kauzë ?. #Ndërtomashkollentimetani”, ajo ka nisur një fushatë e vetme për të përmirësuar gjendjen e shkollës, pas dështimit të shtetit për ta kryer punën e vet.

“Në qendër të qytetit të Ferizajt.  Shkolla më shumë nuk ka ngrohje se sa që ka. Shpesh dimrit i mbajmë vetëm nga dy orë mësim për shkak të ftohtit në klasë. Më ftohtë është brenda se sa jashtë. Shpesh nuk ka ujë për të pastruar shpuzën e lëre më diqka tjetër.  Era e toaleteve po nënkuptohet”, ka shkruar në apelin e saj mësuesja Lohaj Konjufca duke treguar gjendjen e tmerrshme që është në këtë shkollë, raporton Dijasot.com

Ajo njofton se punimet në objektin e ri janë stopuar prej 6 vitesh. “Arsyen nuk e morëm vesh kurrë.  Qeverisja lokale ia lë fajin qeverisjes qendrore dhe anasjelltas”, thotë Lohaj Konufca.  

 Ajo alarmon se tavani i shkollës nga shirat të cilat depërtojnë në klasë mund të bie dhe të rrezikohet jeta e 1300 nxënësve të kësaj shkolle.

“Sot meqë filloi shiu pamëshirshëm, filloi të pikonte uji nga tavani në klasë. Mua pamëshirshëm më spërkateshin flokët e mia të pastërta, me ujin e ndotur të tavanit. Dhe klasa filloi të mbushej me puse. Ra zilja. U kry ora e 6-të.  U kry për sot.  Po nesër, ndoshta na bie gjithë tavani e na zë 1300 nxënës.  E di që atëhere do të reagoni por ju lutem reagoni pak më herët. Reagoni sot. A është kjo liria për të ciën luftuan heronjët tanë?”, thekson Lohaj Konjufca./Dijasot.com

Pamje nga gjendja e kësaj shkolle: