Ky hotel do të ndryshojë edhe pamjen e qytetit. Si një hotelier i dalluar në Gjermani, Ilir Mulaku ka shprehur interesim që këtë investim t’ia dedikojë vendlindjes së tij.
Kosova, shteti më i ri në Evropë, njihet ende si një vend që ballafaqohet me pasojat e luftës, në përpjekje për t’u ngritur në këmbë, duke u përballur me një ekonomi të brishtë, si dhe një proces në vazhdim për ndërtimin e një shteti ligjor.
Megjithëse shumë pak e dinë se ky vend i vogël në Ballkanin Jugperëndimor ofron një turizëm, trashëgimi dhe mikpritje mbresëlënëse. Kosova fsheh në vete një trashëgimi të lashtë, nga nëntoka e saj arkeologët nxjerrin qytetërimet më të pasura, ndërsa një nga qytetet që ofron si turizëm, ashtu edhe një pamje nga e kaluara e lashtë e shqiptarëve e pret të vizitohet nga të huaj e vendorë, është qyteti i Vushtrrisë, 28 kilometra nga kryeqyteti i Kosovës – Prishtina, ose siç njihet në burimet latine, Vicianumi.
Orientalja me modernen ndërthuren magjishëm në Vushtrri. Një mëngjes ose drekë me qebapët që u japin aromë rrugëve me kalldrëm të Vushtrrisë është ajo që zgjedhin mysafirët në këtë qytet, duke shijuar më pas një gotë çaji në çajtoret dhe kafenetë e këtij qyteti, ku mikpritja të bën për vete dhe nuk shkëputesh dot pa i premtuar vetes se do të vish prapë në këtë qytet, transmeton Zeri.info.
Me vete pa dyshim që çdo mysafir merr si kujtim një foto nga Ura e Vjetër e Gurit, që gjendet në pjesën veriperëndimore të hyrjes së qytetit, e cila sipas hulumtimeve të fundit llogaritet të jetë ndër urat më të vjetra të llojit të vet në Kosovë. Versionet historike e datojnë Urën, e ndërtuar edhe më herët në kohën e Perandorisë Romake, pastaj Kalaja, që ndodhet në qendër të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Edhe kjo kala në burimet historike përmendet si kala e vjetër. Sipas historianëve, kalaja u ndërtua gjatë periudhës së hershme Iliro-Dardane.
Po ashtu Hamami i Gazi Ali Beut gjendet në bërthamën e qendrës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Hamami i Vushtrrisë është ndërtuar nga Gazi Ali Beu në fund të shek. XIV dhe fillim të shek. XV. Objekti sanitar publik kishte funksion banje, i cili ishte në shërbim për të dyja gjinitë.
Ajo çka tani i mungon këtij qyteti për të pritur vizitorë e mysafirë është një hotel në qendër të tij me të gjitha kushtet dhe komoditetin e një ambienti hotelier modern. Një projekt të tillë e ka propozuar ta jetësojë afaristi vushtrrias që jeton dhe vepron në Gjermani, Ilir Mulaku.

Ai ka vendosur ta rikthejë hotel “Vicianum”, pikërisht në qendër, aty ku çdo klient do të mund të pushonte, por njëkohësisht të shijonte dhe pamjen e qytetit antik. Sipas Mulakut, madje ky hotel do të ndryshojë edhe pamjen e qytetit. Si një hotelier i dalluar në Gjermani, ai ka shprehur interesim që këtë investim t’ia dedikojë vendlindjes së tij.
Projekti i propozuar, siç shprehet ai, është një projekt superlativ për qytetin. “Interesimi i mërgatës për të investuar në shtetin tonë është në rritje. As unë nuk mund t’i rezistoja. Dua të bëj diçka për vendin tim të lindjes”, thotë ai për “Zërin”.
Projekti i ndërtimit të këtij hoteli shkon, sipas tij, edhe përtej aspektit ekonomik, do të ndërtohej në vendi ku do të zëvendësohej pamja e gjykatës së vjetër e të shëmtuar me pamjen e një hoteli modern. Ai shpreson dhe beson se Komuna dhe Qeveria do ta mirëpresin nismën e tij.
Emri i Ilir Mulakut nuk është i njohur tashmë vetëm për bizneset e tij të suksesshme në Gjermani. Po ashtu, afaristi Mulaku njihet edhe në librin e rekordeve botërore të “Guinness”-it për pjekjen e mishit 10 metra të gjatë, i cili është pjekur në mes të qytetit Iserlohn.
Afaristi vushtrrias që jeton dhe vepron në Gjermani, Ilir Mulaku, gjatë pandemisë ka dhuruar së bashku me afaristin e njohur kosovar, Remzi Ejupi, 10 mijë maska mbrojtëse për qytetin e Vushtrrisë.
Mirëpo, në kohën kur sektori i gastronomisë u mbyll gati i tëri, në Gjermani hotelet dhe restorantet e afaristit Ilir Mulaku u bënë nikoqirë të shumë personave mbi 65 vjeç.
Këto restorante e hotele ofruan ushqime e shërbime falas për të gjithë ata që u strehuan te to gjatë kohës së pandemisë.
Mulaku tha se kanë akomoduar të moshuarit mbi 65 vjeç falas dhe kjo bëri një jehonë në Gjermani. /Zëri

