Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka nxjerrë vendim për pushim për ditën e nesërme, për Festën e 28 Nëntorit.
Dita e flamurit, nuk bënë pjesë në Kalendarin e Festave Zyrtare të Kosovës, mirëpo kjo festë po vazhdon të festohet në “heshtje”.
Megjithëkëtë, vendimi i MPB-së që i drejtohet nënpunësve të administratës publike të Kosovës po u përcillet prindërve nga ana e mësuesve në viber( grupe të viber), raporton Dijasot.com
“Të nderuar/a nënpunës të Administratës Publike të Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në Ligjin Nr.03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, ju njoftojmë se për nder të Festës së 28 Nëntorit, dita e marte 28 Nëntor 2023, do të jetë ditë pushimi”, thuhet në vendimin e MPB-së, një kopje të së cilës e ka siguar gazeta Dijasot, e cila kopje po shpërndahet nga mësuesit tek prindërit, si informacion për të njoftuar ata (prindërit) që të mos dërgojnë fëmijët nesër në shkollë.
Ky absurditet nuk ka ndodhur më parë. Mësuesit nuk janë nënpunës administrate që të njoftohen nga MPB-ja. Sipas nenit 31 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, mësimdhënësit janë shërbyes profesional publik që kryejnë detyra në institucionet arsimore dhe aftësuese sipas legjislacionit në fuqi dhe të cilët përmbushin kushtet e nevojshme të parapara me këtë ligj për kualifikim dhe licencim.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nuk ka dal me asnjë njoftim, sot, për ditën e nesërme rreth pushimit apo jo në shkolla për nder të festës së Nëntorit.
Madje, dhe vendimi i MPB-së është bërë në orët e vona të pasdites.
Në faqet zyrtare të të dyja ministrive deri sa po pubikojmë këtë artikull nuk figuron asnjë njoftim rreth pushimit nesër në instituconet e Kosovës. Dhe nuk figuron as vendimi i cili po shpërndahet “larg syve ” të publikut. Madje as një urim për Festën e Nëntorit nuk është bërë në faqet zyrtare të këtyre dy ministrive./Dijasot.com




