Kurti ua uron ditën mësuesve në Manifestimin e 7 Marsit

Përmes një komunikate për media njoftohet se në ceremoninë e mbajtur në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare, kryeministri Kurti, së bashku me zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, ndanë mirënjohje për mësimdhënës të dalluar nga secila komunë.

Duke u uruar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve, Kurti tha se historikisht tek populli ynë angazhimi për arsimimin dhe edukimin shqip në njërën anë dhe beteja për liri kombëtare në anën tjetër nuk kanë qenë asnjëherë të ndara.

Teksa ndodhemi në ditën e tretë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Kurti, po ashtu, ka kujtuar Shaban Jasharin, mësues i djemve të tij, i Hamëz e Adem Jashari, por edhe mësues në Drenicë e në Prekaz, ku tash shkolla atje e mban emrin e tij.

Siç bëhet e ditur,  çmimi që mban pikërisht emrin e Shaban Jasharit, në këtë manifestim iu nda mësueses Shkëndije Jashari nga Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Meto Bajraktari” në Prishtinë.