Qeveria kineze ka sugjeruar që kufizimet e udhëtimit të vendosura nga disa vende për kinezët janë të motivuara politikisht, dhe ka paralajmëruar se mund të hakmerret.
SHBA, India dhe Britania e Madhe janë ndër kombet që kanë futur testimin e detyrueshëm për të ardhurit nga Kina.
Kina ka shënuar së fundmi rritje të rasteve me Covid pas lehtësimit të kontrolleve të rrepta, prandaj është rritur edhe frika se rastet e vdekjet nuk po raportohen saktë.
Përditësimi i fundit i Kinës për Covid, më 24 dhjetor, raportoi më pak se 5,000 raste, por disa analistë pretendojnë se ngarkesa ditore e rasteve është tashmë mbi dy milionë dhe mund të arrijë në pothuajse katër milionë këtë muaj.
Mungesa e të dhënave dhe njoftimi i Kinës se po lehtësonte kufizimet e udhëtimit nga 8 janari, bëri që shumë vende të njoftonin për kërkimin e testimit të Covid për të ardhurit nga Kina.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka kërkuar Kinës të ndajë më shumë informacion në kohë reale dhe një zëdhënëse e ministrisë së jashtme tha të martën se Pekini ishte i gatshëm të “përmirësonte komunikimin me botën”, transmeton klan.kosova
Megjithatë, zëdhënësja Mao Ning tha se qeveria ishte “në mënyrë të vendosur kundër përpjekjeve për të manipuluar masat e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë për qëllime politike dhe do të marrë masat përkatëse sipas parimit të reciprocitetit”.
Kufinjtë e Kinës janë mbyllur kryesisht që nga marsi 2020, që do të thotë se pak të huaj ishin në gjendje të hynin dhe u kërkohej t’i nënshtroheshin testeve dhe karantinës rigoroze.
Agjencia e parandalimit të sëmundjeve të Bashkimit Evropian dhe Shefi Mjekësor i Australisë kanë argumentuar se numri i madh i të vaksinuarve dhe imunizimi zvogëlojnë kërcënimin nga Covid.
Por pavarësisht kësaj, shumë vende, përfshirë edhe BE kanë obliguar testimet për turistët kinezë.