Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) ka njoftuar se 100 shkolla të mesme nga Ballkani Perëndimor janë përzgjedhur për të marrë pjesë në programin e Supershkollave të RYCO në vitin e dytë të implementimit të tij.
Shkollat e përzgjedhura nga rajoni do të zbatojnë shkëmbime rajonale duke përfshirë më shumë se 1500 nxënës, ndërsa RYCO do të ofrojë mundësi të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve për më shumë se 100 mësues.
Ndër këto 100 shkolla: 18 vijnë nga Shqipëria, 18 nga Bosnja dhe Hercegovina, 7 janë nga Mali i Zi, 11 janë nga Kosova, 16 janë nga Maqedonia e Veriut dhe 30 janë nga Serbia.
“Gjatë thirrjes së 2-të të hapur RYCO mori 155 propozime shkëmbimi, 161 aplikime të interesuara për partneritete nga të cilat 17 janë afatgjata nga cikli i parë, ndërsa më shumë se 535 shkolla nga Ballkani Perëndimor përdorën platformën online www.superschools.net për rrjetëzim me shkollat e tjera. Komisioni përzgjedhës kishte detyrën e vështirë për të vlerësuar 50 projektet më të mira që synonin mbështetjen e proceseve të ndërtimit të paqes dhe pajtimit si edhe të mësuarit ndërkulturor dhe dialogut ndërmjet shkollave, nxënësve dhe komuniteteve të tyre”, thuhet në njoftim.
Zbatimi i projekteve do të zhvillohet në dy raunde: Raundi i parë i shkëmbimeve do të fillojë nga prilli deri në qershor 2023 dhe raundi i dytë do të vazhdojë nga gushti deri në tetor 2023. Po ashtu njoftohet se secila shkollë do të organizojë një vizitë shkëmbimi në shkollën partnere që zgjat deri në 7 ditë, me një grup deri në 12 nxënës dhe 1 deri në 2 mësues. Nëpërmjet skemës së shkëmbimit, studentët dhe mësuesit do të kenë mundësinë të udhëtojnë, të prezantojnë veten, shkollat dhe zakonet e tyre tek shkolla mikpritëse dhe të mësojnë gjëra të reja për komunitetet lokale në pjesë të ndryshme të rajonit tonë.
“RYCO shpreh mirënjohje për të gjitha propozimet e Supershkollave dhe për interesin e shumtë për të qenë pjesë e kësaj mundësie unike rajonale të shkëmbimit të shkollave. Ndërsa bota jonë zhvillohet gjithmonë e më shumë, nevojiten inovacione dhe perspektiva të reja për t’u përshtatur me mjedisin gjithnjë në ndryshim rreth nesh. Prandaj, programi Supershkollat ka në qendër të misionit të vet, pajisjen e të rinjve nga Ballkani Perëndimor me aftësitë e nevojshme për të bërë zërin e tyre të dëgjohet në komunitetet, të flasin, të marrin pjesë dhe të influencojnë me kontributin e tyre kuptimplotë. Jemi të emocionuar të shohim se çfarë do të prezantojnë dhe organizojnë mendjet e reja të rajonit tonë gjatë aktiviteteve të tyre të përbashkëta përmes temave të ndryshme që do të trajtojnë këtë vit disa prej të cilave janë: Moda e qëndrueshme, Inteligjenca Artificiale dhe Inovacioni Dixhital, IT dhe Shkenca, Arti dhe Kultura… dhe shumë të tjera”, bëhet e ditur mes tjerash në njoftim.
Historiku
Rreth programit Supershkollat
Supershkollat është një program i RYCO për shkëmbimin e shkollave në Ballkanin Perëndimor me objektivën për të mbështetur proceset e ndërtimit të paqes dhe pajtimit, si edhe të mësuarit dhe dialogu ndërkulturor. Programi do të zbatohet për tre vjet dhe është pjesë e një projekti shumë donatorësh “Skema e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor”, e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) , së bashku me Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO). /Dijasot.com