FJALË PËRMORTORE, me rastin e ndërrimit të jetës së Ismail Kastratit

Shkruan/profesor : Musa Limani

Ismail Kastrati u varros më 16.12.2022, në varrezat e qytetit të Prishtinës, me nderimet më të mëdha, me ç’rast morën pjesë në përcjelljen lamtumirëse një numër shumë i madh shokësh, miq e dashamir të tij.

Mirëpo, është për të ardhur keq që, askush nga institucionet ku ai punoi, si: në Rilindje, Kryetar i Këshillit financiar në pushtetin paralele pas vitit 1990, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës pas çlirimit dhe këshilltar në njërën nga Ministrit e Republikës së Kosovë, askush nuk e pa të rrugës të marrin pjesë në ceremoninë lamtumirëse dhe ta thënë një fjalë falënderimi, edhe pse Ismail Kastrati, kudo që punoi la përshtypje të një udhëheqësi (menaxheri) të mirë e korrekt që gëzonte respekt nga kolektivi ku punoi, e mbi të gjitha ishte intelektual i mirëfilltë dhe luftëtar i pa kompromis për kauzën tonë kombëtare, duke dhën kontribut të madh në fushën ekonomike duke botuar librat: “Zhvillimi Ekonomik dhe Shtetndërtimi në vitin 2021 si dhe librin “Kohë Zhgënjimesh-Kronikë të botuar në vitin 2018 dhe në zgjidhjen e çështjes sonë mbarëkombëtare.

Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, mos të tjerët, Oda Ekonomike e Kosovës, është dashur të prezantojë në lamtumirën e fundit, sepse Ismail Kastrati, pas çlirimit e themeloi këtë asociacion më të madh të bizneseve sipas sistemit të ri ekonomiko-shoqëror. Andaj, mos pjesëmarrja e ndonjë përfaqësuesi nga Oda Ekonomike, unë menaxhmentin aktual të këtij asociacioni e konsiderojë, jo lëshim e pa kujdesi, por turp dhe poshtërsi.

E nderuara familje Kastrati e ngushtë dhe e gjerë, si dhe i tërë farefisi, me rastin e ndërrimit të jetës së më të dashurit Tuaj, bashkëshortit, babait, vëllait, axhës, dajës, nipit e gjithë farefisit, miqve e shokëve, të më lejohet që nëpërmjet këtij shkrimi t’u shprehu ngushëllimet e mia personale e familjare, me të përzemërta dhe me zemër të thyerë e të pikëlluar, sepse e kisha shokun dhe mikun më të afërt, më të dashur dhe më të sinqertë. Po ashtu, të më lejohet që nëpërmjet këtij shkrimi, t’i them disa fjalë postmortum për personalitetin dhe intelektualin e mirëfilltë, tani të ndjerë Ismail Kastrati.S’ka dyshim se, Ismail Kastrati i takon plejadës së ekonomistëve frytdhënës, jo vetëm të gjeneratë së tij, por edhe të gjeneratave të më pasme. Ishte intelektual i mirëfilltë, e mbi të gjitha një patriot e luftëtar për të drejtat e shqiptarëve dhe Ribashkimin mbarëkombëtar.

Është vështirë që në një shkrim të kësaj natyre, të përmblidhen të gjitha virtytet e tija si: ekonomist, intelektual e kombëtar, por pa dyshim se në punë dhe jetën e tij, janë gërshetuar të gjitha virtytet që e karakterizojnë një intelektual të mirëfillte e një BURRË, siç ishte edhe Ismail Kastrati tani i ndjerë. Mirëpo, me plotë të drejtë mund të thuhet se, Ismail Kastrati gjithmonë veproi me moral të lartë, ishte i pa thyeshëm në idealin e tij që ishte çështja kombëtare, edhe pse gjatë kohës së jetës së tij në Kosovë frynin erëra të mëdha, furtuna e acare, të cilat asnjëherë nuk e trembën, por edhe më tepër i jepnin kurajo dhe guxim që për herë e në çdo kohë të ishte luftëtar në mbrojtjen e interesave kombëtare. Nuk kishte forcë që t’ia thyej idealin e tij që ishte, shkëputja e Kosovës dhe trojeve të tjera etnike nga kthetrat dhe robëria shekullore kolonizuese nga ortodoksia sllave, veçmas nga Serbia hegjemoniste. Andaj, puna dhe veprat e tija janë të mëdha, e që janë karakteristike vetëm e njerëzve që dinë të lënë emër të madh në historinë mbarëkombëtare, siç ishte Ismail Kastrati.

Si rrjedhim, me të drejtë mund të thuhet se, Ismail Kastrati ishte stoik, mbeti vertikal dhe i pa komprometuar (moralisht dhe materialisht), ekonomist e intelektual i lartë , demokrat, human, njerëzor, nuk dinte të urrej, por nuk lejonte që dikush të përdhoste identitetin e tij personal, familjar, e në veçanti atë kombëtar. Këto virtyte, ai i ruajti dhe i mbajti deri në vdekje.Andaj, nga ajo që u tha më sipër, nuk është vështirë të konstatohet se, emrin e Ismail Kastratit sot, kolegët, miqtë dhe opinioni i gjerë, e përmendin dhe e përkujtojnë me respektin më të madh, me dinjitet dhe krenari kombëtare, duke u mburrur me punën e tij profesionale e kombëtare, shumë të guximshme për kohën, sepse ishte personalitet që një jetë të tërë ia kushtoi interesave mbarëkombëtare.

E nderuara familje Kastrati, duke u bazuar në punën dhe veprën e tij, të një ekonomisti dhe intelektuali të mirëfilltë, për figurën e Ismail Kastratit, me të drejtë mund të konstatohet se, vdekja e tij, nuk paraqet humbje vetëm për familjen e farefisin, e as vetëm për Kosovën, por për gjithë kombin dhe shkencat ekonomike. Andaj, ju familja e ngushtë: bashkëshortja, fëmijët e farefisi, ashtu dhe ne kolegët dhe miqtë e tij, duhet të mburremi qe e patëm një personalitet, intelektual të mirëfilltë e burrë të kalibrit, siç ishte Ismail Kastrati.

Ndërkaq, familja dhe fshati Hogosht dhe komuna e Dardanës, duhet të mburren që nga gjiri i tyre doli një intelektual i lartë dhe ekonomist me performanca të larta e një punëtor kreativ, siç ishte Ismail Kastrati. Mendojë se, edhe për rreth përpjekjeve të mia, si mik e koleg i tij, në këtë moment postmortum aq sa lejon shkrimi për këso rastesh, të prezantoj në mënyrën më të denjë, më objektive, reale etj. duke i përfshirë elementet, virtytet dhe karakteristikat kryesore profesionale e njerëzore të tija.Në fund, duke i falënderuar për punën si ekonomist dhe për kontributin e dhënë në shkencat ekonomike të Kosovës dhe publicistikën, i kërkojmë lamtumirën e fundit Ismail Kastratit.

Ne tani fizikisht u ndamë nga ai, por vepra dhe personaliteti i tij kurrë nuk do të vdesin dhe gjithmonë do të mbesin në kujtimet tona.I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, të cilën aq shumë e deshti dhe tërë aktivitetin intelektual e profesional ia kushtoi të drejtave, pavarësisë së Kosovës dhe Ribashkimit mbarëkombëtar. Ndjesë pastë.Të jetë i përjetshëm kujtimi për kolegun dhe mikun tim e tonin Ismail Kastrati./Dijasot.com