Vdes veterani i arsimit dhe një nga anëtarët themelues të LDK-së

Pashoja gjatë gjithë jetës së tij u përkushtua në arsimimin e të rinjëve shqiptarë.  Kontributi i tij shtrihet edhe në publicistikë.  Po ashtu ka ushtruar edhe detyrën e këshilltarit pedagogjik (për lëndët filozofi, logjikë dhe sociologji) në Entin Pedagogjik të rrethit të Manastirit.

Sot ka ndërruar jetë veterani i arsimit, ish profesori i Universitetit të Prishtinës, Irfan Pashoja, në moshën 85 vjecare.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët.

I ndjeri ka ligjëruar vite më parë në Fakultetin Juridik. Ndërsa, para se të ligjëronte në UP, aktiviteti i tij në fushën e arsimit filloi së pari në shkollat e qytetit të Manastirit.

Pashoja është një ndër themeluesit e parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Pashoja ka qenë anëtar i Këshilli Qendror i LDK-së që u zgjodh në Kuvendin Themelues të 23 dhjetorit 1989, që llogaritet dhe Kuvendi i parë zgjedhor i LDK-së.

Pashoja gjatë gjithë jetës së tij u përkushtua në arsimimin e të rinjëve shqiptarë.  Kontributi i tij shtrihet edhe në publicistikë.  Po ashtu ka ushtruar edhe detyrën e këshilltarit pedagogjik (për lëndët filozofi, logjikë dhe sociologji) në Entin Pedagogjik të rrethit të Manastirit.

Irfan Sulejman Pashoja u lind në vitin 1937 në fshatin Podmoçan të Prespës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, shtatëvjeçaren në Manastir dhe në Kranjë të Prespës kurse normalen në Shkup në vitin 1956. Gjatë vitit shkollor 1956/57 u emërua mësues dhe përgjegjës i shkollës fillore në fshatin Bojanë të Shkupit.

Ai studioi filozofinë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Shkupit dhe studimet i kreu në vitin 1962.

Pas kryerjes së studimeve u emërua profesor i lëndëve: filozofi, logjikë, sociologji dhe psikologji në gjimnazin “Josip Broz Tito” në qytetin e Manastirit dhe si ligjërues i sociologjisë në Akademinë Pedagogjike të Manastirit. Po në këtë qytet ka ushtruar edhe detyrën e këshilltarit pedagogjik (për lëndët filozofi, logjikë dhe sociologji) në Entin Pedagogjik të rrethit të Manastirit. Një kohë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të shkollës fillore “Nikolla Teslla” të Manastirit.

Prej vitit 1970 procesin edukativo-mësimor do ta ushtrojë në gjimnazin “Ivo Llolla Ribar” (tani Sami Frashëri) në Prishtinë kurse prej muajit mars të vitit 1972 punoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Kosovës si asistent i lëndës Sociologji e përgjithshme, ndërsa prej vitit 1973 zgjidhet ligjërues i lëndës së Filozofisë marksiste, të cilën e ka ligjëruar deri në vitin 1985. Prej këtij viti ligjëron lëndën e Sociologjisë së përgjithshme dhe juridike.

Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, Bosnjë e Hercegovinë, në vitin 1977 dhe magjistroi në temën: “Feja dhe fetaria te shqiptarët e Kosovës”.

Ai qysh si student, një kohë punoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, botoi artikuj të ndryshëm, të cilën gjë e vazhdoi edhe në Manastir. Në vitin 1974 botoi doracakun “Tekstet e zgjedhura nga filozofia marksiste” për studentët e Fakultetit Juridik të Prishtinës. /Dijasot.com