Kryeministër mos lësho pe, pagën e mësuesve bëje 1500 euro

Qeveria mund të rris bazën e tatimit (TVSH) deri 3 për qind me dedikim për të ardhmen tonë. Këto të hyra nga rritja e tatimit ekskluzivisht do të shkonin për paga të mësimdhënësve.

 Shkruan: Anita Kadriu

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk duhet të lëshojë pe pa i rritur rrogat e mësuesve në shumën 1500 euro. Jo 100 euro shtesa për mësimdhënësit e ciklit parauniversitar siç tani është kërkesa aktuale e sindikatës, as 200 apo 300 euro, po pagë fikse 1500 euro. Greva e mësimdhënësve që sot hyri në ditën e 29-të le të mbahet mend si greva e fundit në arsim dhe që prej përfundimit të saj dhe marrëveshjes që do duhej të ndodhte mes qeverisë dhe SBASHK-ut- FILLOI përmirësimi i sistemit arsimor në Kosovë.

Një shtet matet me atë sa e paguan mësuesin. Mësuesi \ja është privilegj. Nuk janë për lëmoshë mësimdhënësit tanë. Ata duhet ta kenë barrën të japin dijeni. Nëse duam cilësi në arsim duhet të rrisim pagat siç duhet, të rrisim përgjegjësinë, vlerësimin, suksesin në shkollat e Kosovës. Rritja e pagës dhe rritja e llogaridhënies për mësimdhënësit në proces mësimor siguron arsimim cilësor për fëmijët e Kosovës, siguron të ardhmen e vendit. Pse fëmijët tanë të shkojnë pas shkollës pasdite në kurse matematike, gjuhe, kimie…? Këto njohuri ata duhet t;i marrin gjatë orarit të rregullt mësimor.

Qeveria ka opsione për sigurimin e buxhetit për paga. Qeveria mund të rris bazën e tatimit (TVSH) deri 3 për qind me dedikim për të ardhmen tonë. Këto të hyra nga rritja e tatimit ekskluzivisht do të shkonin për paga të mësimdhënësve. Është koha e fundit që të gjejmë konsensus për mësuesit, për laboratorë, për dijen e fëmijëve tanë. Ata që dalin nga shkollat tona janë mjekët e ardhshëm, udhëheqësit tonë të ardhshëm. Duhet të ulen shtizat e të bisedojmë për zgjidhjen, për të ardhmen tonë. Nuk duhet lejuar të mbizotërojë tendenca që të krijohet kaos sepse ka deklarata nga njerëz të pushtetit që “t’u ndalen pagat mësimdhënësve sepse po mbajnë grevën”, e kjo ka pasojë shkaktimin e krizës sociale.

Pagat me ligj nuk mund t’u ndalen mësimdhënësve. Kërkesa që mësuesit t’i nënshtrohen një vlerësimi gjatë këtyre javëve të grevës është kërcënim, qon te tensionet sociale dhe poshtëron figurën e mësuesit.

Epiteti grevist mësimdhënësit kosovarë nuk mund t’i mvishet nga asnjëra palë as nga sindikata as nga qeveria. Mësimdhënësit e të gjitha niveleve në Kosovë mund ta mbajnë epitetin heronj dhe vazhdimisht të ruhet të mos zhvlerësohet. Ata kanë qenë unik dhe historikisht bota duhet ta pranojë duke nisur nga mësimdhënësit kosovarë se ekzistenca e mbijetesa e një kombi varet nga mësimdhënësit se çfarë i kanë. Në këtë rast mësimi shtëpi-shkolla para luftës shënoi hapin e parë të funksionimit të Republikës së Kosovës. Ushtarët e parë të lirisë së Kosovës janë mësuesit do apo s’do ta pranojë dikush, ata institucionalizuan shtetin e Kosovës, pa paga, të maltretuar e ndjekur nga policia e shtetit serb, nën presionin e kushteve ekstreme e organizuan mësimin me cilësor sesa ka qenë e është dhe tani pas luftës. Andaj politikë me pagën dhe emrin e mësimdhënësve nuk duhet lejohet. Nuk mund të tolerohet asnjë ditë të vazhdojë më greva dhe të pësojnë nxënësit.