Viti– Ka përfunduar gjykimi në rastin ku mësimdhënësi Sadat Lubishtani, po kërkon nga Komuna e Vitisë, që t’ia kompensojë pagat jubilare, shujtat ditore si dhe shpenzimet e udhëtimit në shumën prej 2 mijë e 468 euro e 10 centë.
Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, paraprakisht përfaqësuesi i paditësit, avokati Minir Arifi, ka kërkuar nga gjykata që seanca të mbahet në mungesë të përfaqësuesit të Komunës së Vitisë.
“Meqenëse e paditura është ftuar në mënyrë të rregullt dhe ftesës nuk i është përgjigjur, propozoj që seanca të mbahet në mungesë të palës së paditur”, tha avokati Arifi.
Pas aprovimit të propozimit nga gjykatësi Arben Xheladini, avokati Arifi ka precizuar kërkesëpadinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përmes precizimit të padisë, në emër të shpërblimit jubilar për përvojën e punës mbi 10 vite, ka kërkuar 50% të pagës bazë, në shumën prej 201 euro e 50 centë, për kompensimin e shujtave ditore për 664 ditë të pranisë në punë ka kërkuar shumën prej 1 mijë e 328 euro, ndërsa për shpenzimet e udhëtimit, shumën prej 929 euro e 60 centë, në total gjithsej 2 mijë e 468 euro e 10 centë.
Pas administrimit të provave, është dhënë edhe fjala përfundimtare nga palët ndërgjyqëse, ku përfaqësuesi i paditëses ka kërkuar që padia të aprovohet si e bazuar si dhe i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës.
Gjykatësi Arben Xheladini, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë kontest është i përfunduar dhe palët në afat ligjor do të njoftohen me vendimin.
Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 03 shkurt 2020, paditësi Sadat Lubishtani po kërkon nga Komuna e Vitisë, kompensimin e shpërblimit jubilar, shujtave ditore, si dhe shpenzimeve të udhëtimit.
Në padi thuhet se paditësi është i punësuar në SHFMU “ 28 Nëntori”, në fshatin Vërban, në pozitën e arsimtarit dhe se kërkesën e tij e ka mbështetur në Ligjin e Punës dhe në Kontratën Kolektive të Arsimit, përkatësisht në nenin 35 paragrafi 8 dhe 7 të kësaj kontrate.
Gjithmonë sipas padisë, paditësi fillimisht kishte parashtruar kërkesë pranë të paditurës, por siç thuhet kjo e fundit kishte kthyer përgjigje negative.
Me kërkesëpadi, paditësi po kërkon nga e paditura që atij t’i paguajë shujtat ditore për ditët e pranisë në punë, shpenzimet e udhëtimit, si dhe për shpërblimin jubilar prej 50 % të një page bazë, ku shuma e përgjithshme kap vlerën prej 2 mijë e 468 euro e 10 centë.