Autostradat, shkollat, parqet dhe këndet e lojërave të shkollave në Pekinin me rreth 24 milionë banorë, u mbyllën sot për shkak të ndotjes së madhe, ndërsa Kina, prodhuesi kryesor në botë i gazeve serrë, përgjegjëse për ndryshimet klimatike, po rrit prodhimin e qymyrit, pas një krize energjie të shkaktuar nga objektivat strikte të emetimeve dhe çmimet rekord të karburanteve fosile.
Sipas Byrosë Kombëtare Meteorologjike, një mjegull e trashë smogu mbuloi pjesë të Kinës Veriore, me dukshmëri në disa zona të reduktuara në më pak se 200 metra.
Autoritetet e Pekinit ia atribuan situatën “kushteve të pafavorshme të motit dhe përhapjes së ndotjes rajonale”.
Shkollat në kryeqytet u urdhëruan të ndalonin orët e edukimit fizik dhe aktivitetet në natyrë, ndërsa pjesët e autostradave për në qytetet kryesore, përfshirë Shangain, Tianjin dhe Harbin u mbyllën për trafikun për shkak të dukshmërisë së dobët.
”Smogu ka të ngjarë të vazhdojë deri të paktën të shtunën në mbrëmje”, sipas zyrtarëve të kryeqytetit.
Kina njoftoi në fillim të kësaj jave se ka rritur prodhimin ditor të qymyrit me më shumë se një milion ton për të lehtësuar mungesën e energjisë që ka detyruar fabrikat të mbyllen muajt e fundit./ atsh