Riatdhesohen në Kosovë eshtrat e viktimave të masakrës së Rezallës

Sot po riatdhesohen në Kosovë, viktimat e Masakrës së Rezallës të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë.

Krerët e institucioneve të Kosovës në pikëkalimin kufitar në Merdare kanë bërë homazhe para arkivoleve me eshtrat e kosovarëve që u gjetën në Kizhevak të Serbisë.

Arsim Gerxhaliu, njëherësh një prej ekspertëve ligjor, ka njoftuar për media se shtatë prej tyre janë identifikime të reja, kurse dy të tjera janë ribashkim i trupave që u gjetën në vitin 2014 në Rudnicë.

Gërxhaliu ka publikuar në Facebook fotografi të familjarëve që po presin riatdhesimin e trupave të viktimave.

“Merdare riatdhesimi i vellazerve tanë nga Rrezalla. Dikush pret te birin, dikush gjyshin…”, ka shkruar ai.

Riatdhesimi i shtatë trupave të viktimave po realizohet me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës-Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. /Zëri