Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka përcjellë një mesazh në fillim për të gjithë nxënësit kosovarë.
Në mesazhin e saj, ministrja Nagavci shkruan se në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, ka bërë edhe shpërndarjen e teksteve shkollore falas për të gjithë nxënësit e klasave (I-IX), raporton Dijasot.com
“Sivjet për herë të parë është vendosur një standard i ri duke respektuar Ligjin për tekste shkollore, i cili parasheh tekstet alternative. Mësimdhënësit në koordinim me Aktivet profesionale, kanë pasur mundësi të zgjedhin tekstet mësimore më të përshtatshme për nxënësit e tyre. Në bazë të kërkesave të shkollave dhe DKA-ve, MASHTI ka kontraktuar shtëpitë botuese, realizon pagesat dhe i ka shpërndarë tekstet e përzgjedhura në shkolla”.
Këtë vit për dallim nga viti paraprak, ajo ka theksuar se janë kursyer 3 milionë euro.
“Tekstet shkollore këtë vit kushtuan 3,397,390.66 milionë euro më lirë se vitin e kaluar. Teksa në vitin 2020-2021, kostoja e teksteve shkollore ka qenë 11,501,959.72 milionë euro, në vitin shkollor 2019-2020 kostoja ishte 9,654,097.41 milionë euro, këtë vit tekstet kanë kushtuar 8.104.596 milionë euro apo 29.54% më lirë se në vitin shkollor 2020-2021. Po ashtu, për herë të parë këtë vit, tekstet nga gjuha shqipe do t’i kemi të përkthyera në gjuhën boshnjake dhe turke për të gjitha klasat”, thuhet në deklaratën e ministres. /Dijasot.com