Kurti: Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën, njohja reciproke është thelbi

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e përgjithshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet që në qendër ta ketë njohjen reciproke.

Gjatë një konference, Kurti theksoi se Serbia po ashtu duhet ta ndryshojë edhe Kushtetutën dhe se për normalizimin mes të dyja vendeve është Serbia ajo që duhet të ndryshojë qëndrim.

“Për marrëveshjen e përgjithshme që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke natyrisht se kërkohet ndryshimi i qëndrimit të Serbisë, edhe sa i përket deklarimeve të tyre publike edhe Kushtetutës së tyre. Serbia ka një Kushtetutë të vjetruar nga viti 2006 e cila duhet të ndryshohet. Pra, për normalizimin e marrdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet që të ndryshojë Serbia. Njohja reciproke është thelbi”, ka thënë Kurti.

Tutje, i pari i Qeverisë shtoi se reciprocitetin nuk e konsiderojnë si hakmarrje, por në koncept si barazi, raporton Zeri.info

“Ne nuk e shohim reciprocitetin si mjet për hakmarrje por si koncept që derivon nga vlera e barazisë, për ne barazia është vlerë. Neë do të dëshirnim që Serbia t’i heq barrierat. Ne pra e duam reciprocitetin që Serbia t’i heq barrierat, mirëpo nëse reciprociteti nuk do të mund të zbatohet atëherë do të zbatohet duke iu kundërvënë ne, jo si hakmarrje por se ne e duam barazinë. Kur të jemi gati për kët gjë, besoj se do të njoftoheni e do ta merrni vesh.”, ka thënë Kurti. /Dijasot.com