Dita Botërore e Mjedisit, tre ambasadorë thirrje Shqipërisë të rishikojë kufijtë e zonave të mbrojtura

Koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Fiona Mçluney dhe dy ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman dhe Italisë, Fabrizio Buçi kanë bërë një deklaratë të përbashkët për Ditën Botërore të Mjedisit.

Ambasadorët mirëpresin vendimin për miratimin e Ligjit për Ndryshimet Klimatike dhe i kërkojnë qeverisë shqiptare që të rishikojnë ndryshimet e fundit që kanë bërë për zonat e mbrojtura.

“Duke riafirmuar shqetësimin tonë për rishikimin e fundit të kufijve të zonave të mbrojtura, ne nxisim Shqipërinë të rishikojë studimin e botuar mbi zonat e mbrojtura duke përfshirë komunitetin shkencor dhe palët e tjera të interesit, në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së, ligjin vendor dhe ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, ambasadorët shprehen se Shqipëria duhet të sigurojë që ndryshimet klimatike të integrohen në strategjitë e rimëkëmbjes prej Covid-19 në përputhje me një rritje ekonomike që është e qëndrueshme për mjedisin dhe drejtohet nga energjia e rinovueshme, vendet e gjelbra të punës dhe teknologjitë e gjelbra, veçanërisht në sektorë strategjikë si bujqësia, industria, energjia, transporti , turizmi, menaxhimi i ujit dhe mbetjeve.

“Ne besojmë fuqimisht se të rinjtë kanë rol themelor për rritjen e ndërgjegjësimit për klimën, ruajtjen e natyrës, përshpejtimin e tranzicionit të energjisë së rinovueshme dhe miratimin e praktikave miqësore me mjedisin, dhe kriza e klimës në të vërtetë është një krizë e të drejtave të fëmijëve”, thuhet në deklaratë.

Bota është në një emergjencë klimatike dhe ndryshimet klimatike përbëjnë rrezikun më të madh me të cilin përballemi të gjithë. Konferenca e ardhshme e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26), nën organizimin e Mbretërisë së Bashkuar në partneritet me Italinë në nëntor të këtij viti në Glasgoë, do të mbledhë mbi 30,000 krerë shtetesh, ekspertë të klimës dhe aktivistë në një forum për të arritur një marrëveshje kritike për trajtimin e ndryshimeve klimatike./euronews.al