Sot, Dita Botërore e Autizmit

Sot është Dita Botërore për Autizëm, teksa shumë specialistë të shëndetësisë gjithnjë apelojnë për sensibilizimin e opinionit publik për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Dita Botërore e Autizmit, 2 Prilli, është caktuar nga OKB-ja për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës rreth këtij çrregullimi bioneurologjik të trurit.

Autizimi është identifikuar në vitin 1943 dhe është një çrregullim ende jo shumë i njohur, ndaj specialistët thonë se trajtimi i tij duhet të kthehet në prioritet të politikave shëndetësore dhe sociale bashkë me më tepër vëmendje ndaj fëmijëve që preken nga kjo sëmundje.

Duke u bazuar në të dhënat shëndetësore, autizmi ka një prevalencë më të madhe se 0,1%.

Sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, autizmi shfaqet te fëmijët para moshës trevjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, gjuhë, shenja ose lojëra përfytyruese.