Ministri i Arsimit, Ramë Likaj i ka quajtur mësimdhënësit e Kosovës “heronjtë e çdo kohe”.
Këtë vlerësim për mësimdhënësit, Likaj e ka lidhur me gjendjen e pandemisë, duke theksuar se mësimdhënësit dhe në kushte të jashtëzakonshme nuk janë ndalur të japin kontributin e tyre në arsimimin e brezave.
Likaj ka thënë se gjatë kohës së pandemisë ka vizituar qindra shkolla në Kosovë dhe ndjehet kaq me shpresë nga përkushtimi që ka parë te mësimdhënësit për të mbajtur mësim në kushte të pandemisë në shkollë, pranë nxënësve.
“Mësuesit janë heronjtë e çdo kohe, sepse Ata kujdesen për të ardhmen tonë!”, ka shkruar ai në një postim të tij në “Facebook”.
“Mësimdhënësit kanë qenë misionarët kryesorë të frymëmarrjes së shoqërisë shqiptare në çdo kohë. Ata e kanë mbajtur gjallë Atdheun duke luftuar kundër analfabetizmit, kundër paditurisë, kundër çdo armiku. Por, janë edhe misionarët kyç për cilësi në arsim dhe për ndryshime pozitive. Ata, sot po e bëjnë një luftë të re: atë të arsimimit në kushtet e pandemisë COVID-19”, thekson Likaj, raporton Dijasot.com
“Paçi shëndet e jetë, motiv e shumë suksese në misionin tuaj sot e gjithmonë, mësimdhënës të dashur!”, ka uruar ai mësmimdhënësit. /Dijasot.com