Mësimi online ka filluar sot edhe për nxënësit e kolegjit “Mehmet Akif “.
Ky kolegj ka vënë në faqen zyrtare të Kolegjit lajmërimin për prindërit dhe nxënësit rreth aplikimit të mësimit online, gjatë fazës së pezullimit të mësimit nëpër shkollat e Kosovës për shkak të koronavirusit.
“Ju njoftojmë se mësimi do të vazhdojë në shkollat Mehmet Akif! Së bashku me stafin, jemi të gatshëm për mësime online. Mësimet online do të mbahen nëpërmjet sistemit MyEducare, e që mund të përcillen nga llogaritë e nxënësve. Prej të hënës, do të fillojnë mësimet online”, thuhet në këtë njoftim.
Përndryshe, Kolegji “Mehmet Akif”, është shkolla e parë private e hapur në Kosovën e pasluftës. Veprimtarinë e ka filluar në vitin 2000, në lokalet e Shkolles së mesme “Gjin Gazuli”, në Prishtinë. Një vit më vonë është transferuar si qiramarrës fillimisht në një objekt që gjendej në Velani, kurse më vonë në objektin që gjendej në Veternik. Në vitin shkollor 2010 ky Kolegji kaloi në objektin e vet aktuale në Banullë-Lipjan. Mësimi zhvillohet tani në nivelin e shkolles së mesme të lartë (10-12),në drejtimin shkencor.
Shkolla ofron ushqim si dhe banim në konvikte të ndara për djem dhe vajza, për nxënësit që vijnë nga qytetet e tjera të Kosovës./DijaSot.com