Në janar të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) e shpalli shpërthimin e sëmundjes së koronavirusit të ri në provincën Hubei, Kinë, si Urgjencë të Shëndetit Publik në nivel ndërkombëtar.
OBSH deklaroi se ekziston një rrezik i lartë i përhapjes së COVID-19 në mbarë vendet e botës.
OBSH dhe autoritetet e shëndetit publik në të gjithë botën po ndërmarrin masa për të mbajtur nën kontroll COVID-19.
Sidoqoftë, kjo kohë krize po shkakton stres në popullatë.
Sugjerimet e mëposhtme janë zhvilluar nga Departamenti i Shëndetit Mendor si një mbështetje për mirëqenien mendore dhe psikologjike gjatë periudhës së epidemisë së COVID-19.
Popullsia e përgjithshme
COVID-19 prek dhe ka të ngjarë të prekë njerëz nga shumë vende, në shumë rajone gjeografike. Mos e lidhni atë me ndonjë etni ose kombësi. Jini empatikë ndaj atyre që prekën, brenda dhe nga jashtë çdo vend. Të prekurit nga kjo sëmundje nuk kanë bërë asgjë të gabuar.
Mos iu drejtoni të prekurve nga kjo sëmundje si “rastet COVID-19”, “viktima”, “familjet COVID-19” ose si “të sëmurët”. Ata janë “njerëz të prekur nga COVID-19”, “njerëz që po trajtohen për COVID-19”, “njerëz që po shërohen nga COVID-19” dhe pas shërimit ata do t’i kthehen jetës së tyre, punës, familjeve dhe të dashurve të tyre.
Shmangni shikimin, leximin ose dëgjimin e lajmeve që ju bëjnë të ndiheni në ankth ose që ju japin shqetësim. Kërkoni informacion kryesisht për të ndërmarrë masa praktike për të përgatitur planet tuaja dhe për të mbrojtur veten dhe të dashurit tuaj. Kërkoni përditësime të informacionit, një ose dy herë, në kohë të veçanta gjatë ditës. Raportimet e papritura dhe pothuajse të vazhdueshme të lajmeve për epideminë mund të shkaktojnë shqetësim. Kërkoni për fakte. Mblidhni informacione në intervale të rregullta nga faqja e internetit e OBSH-së (WHO website) dhe platformat e autoriteteve lokale shëndetësore, në mënyrë që t’ju ndihmojnë të dalloni faktet nga thashethemet.
Mbroni veten dhe mbështesni të tjerët. Nga ndihma që u jepni të tjerëve përfiton ai që merr ndihmën dhe ju që ndihmoni.
Gjeni mundësinë për të përforcuar zërat, tregimet dhe imazhet pozitive të banorëve vendas që kanë përjetuar koronavirusin e ri dhe e kanë marrë veten ose të atyre që kanë mbështetur një të afërm gjatë rimëkëmbjes dhe të cilët janë të gatshëm të ndajnë përvojën e tyre.
Nderoni punonjësit e kujdesit shëndetësor, që mbështesin njerëzit e prekur nga COVID-19 në komunitetin tuaj. Vlerësoni rolin që luajnë atë në shpëtimin e jetëve dhe në ruajtjen e të dashurve tuaj.
Punonjësit e kujdesit shëndetësor
Për punonjësit e shëndetit, ndjenja e stresit është një përvojë që ju dhe shumë nga kolegët tuaj të shëndetësisë ka të ngjarë të kaloni; në fakt, është krejt normale të ndiheni kështu në situatën aktuale. Stresi dhe ndjenjat që lidhen me të nuk janë aspak reflektim se nuk mund të bëni punën tuaj ose që jeni të dobët. Menaxhimi i stresit dhe mirëqenies psiko-sociale gjatë kësaj kohe është po aq i rëndësishëm sa menaxhimi i shëndetit tuaj fizik.
Kujdesuni për nevojat tuaja themelore dhe përdorni strategji të dobishme përballimi: sigurohuni të qetësoheni dhe të pushoni gjatë punës ose midis turneve, të hani ushqim të mjaftueshëm dhe të shëndetshëm, të merreni me aktivitete fizike dhe të qëndroni në kontakt me familjen dhe miqtë. Shmangni përdorimin e strategjive joefektive të përballimit, siç është duhani, alkooli ose droga të tjera. Në periudha afatgjata, këto mund të përkeqësojnë mirëqenien tuaj mendore dhe fizike. Ky është një skenar unik dhe i paparë për shumë punonjës, veçanërisht nëse ata nuk kanë qenë kurrë të përfshirë në situata të ngjashme. Edhe nëse është kështu, ju mund të përfitoni sërish nga strategjitë që keni përdorur në të kaluarën për të menaxhuar periudhat e stresit. Strategjitë për të menaxhuar stresin janë të njëjtat, edhe pse skenari është i ndryshëm.
Për fat të keq, disa punonjës mund të mënjanohen nga familjet ose komuniteti i tyre për shkak të frikës që kanë këta të fundit. Kjo mund ta bëjë edhe më të vështirë një situatë që edhe tani është mjaft sfiduese. Nëse është e mundur, qëndrimi pranë të dashurve tuaj, edhe me metodat dixhitale, është një mënyrë për të ruajtur kontaktet. Drejtohuni kolegëve, menaxherit tuaj ose personave të tjerë të besuar për mbështetje sociale. Kolegët tuaj mund të kenë përvoja të ngjashme me ju.
Përdorni mënyra të kuptueshme për të shkëmbyer mesazhe me njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale, njohëse dhe psiko-sociale. Nëse jeni drejtues ekipi ose menaxher në një institucion shëndetësor, duhet të përdorni forma komunikimi që nuk mbështeten vetëm te informacionet e shkruara.
Drejtuesit e ekipeve ose menaxherët në institucionet shëndetësore
Ruajtja e tërë përsonelit nga stresi kronik dhe shëndeti i dobët mendor gjatë kësaj situate do të thotë se ata do të jenë më të aftë për të përmbushur rolet e tyre.
Bëni të mundur që të gjithë personelit t’i sigurohet komunikim me cilësi të mirë dhe përditësime të sakta të informacionit. Bëni rotacion të punonjësve nga detyra me nivel të lartë stresi te ato me nivel më të ulët stresi. Bëni bashkë punonjës të papërvojë me kolegë që kanë më shumë përvojë. Sistemi i shoqërimit ndihmon në sigurimin e mbështetjes, monitorimin e stresit dhe forcimin e procedurave të sigurisë. Të sigurohet që personeli në terren të paraqitet në komunitet në çifte. Nxisni, inkurajoni dhe monitoroni pushimet gjatë punës. Zbatoni orare elastike për punëtorët të cilët janë të ndikuar drejtpërdrejt ose kanë një anëtar të familjes të prekur nga një ngjarje stresuese.
Nëse jeni drejtues ekipi ose menaxher në një strukturë shëndetësore, lehtësoni aksesin dhe sigurohuni që stafi të jetë i vetëdijshëm se ku mund të gjejë akses në shërbimet e shëndetit mendor dhe të ndihmës psiko-sociale. Menaxherët dhe drejtuesit e ekipeve po përballen me të njëjtat nivele stresi si edhe personeli i tyre, madje edhe me trysni shtesë për shkak të nivelit të përgjegjësisë së rolit të tyre. Është e rëndësishme që dispozitat e mësipërme dhe strategjitë të krijohen si për punonjësit, ashtu edhe për menaxherët dhe që menaxherët të jenë në gjendje të modelojnë strategji vetëkujdesi për të lehtësuar stresin.
Orientoni infermierët, shoferët e ambulancave, vullnetarët, identifikuesit e rasteve, mësuesit, drejtuesit e komunitetit dhe punonjësit në zonat e karantinës se si të japin mbështjetjen bazë emocionale dhe praktike për personat e prekur duke përdorur ndihmën e parë psikologjike.
Për kujdestarët e fëmijëve
Ndihmojini fëmijët të gjejnë mënyra pozitive për të shprehur ndjenjat shqetësuese, si frikën dhe trishtimin. Çdo fëmijë ka mënyrën e tij/saj të të shprehurit të emocioneve. Ndonjëherë, përfshirja në aktivitete, si lojëra, pikturë, mund ta lehtësojë këtë proces. Fëmijët ndihen të çliruar nëse mund t’i shprehin dhe komunikojnë shqetësimet e tyre në një mjedis të sigurtë e mbështetës.
Mbajini fëmijët afër prindërve dhe familjes së tyre, nëse konsiderohen të sigurta për fëmijën dhe shmangni sa më shumë që të jetë e mundur ndarjen e fëmijëve nga kujdestarët e tyre. Nëse një fëmijë duhet të ndahet nga kujdestari i tij/saj, sigurohuni që t’i jepet kujdesi alternativ i duhur dhe që një punonjës social, ose ekuivalenti i tij, të ndjekë rregullisht fëmijën. Më tej, sigurohuni që gjatë periudhave të ndarjes të mbahen kontakte të rregullta me prindërit dhe kujdestarët, të tilla si telefonata ose videoklipe të planifikuara dy herë në ditë ose një komunikim tjetër i përshtatshëm për moshën (p.sh. media sociale në varësi të moshës së fëmijës).
Ruani sa më shumë që të jetë e mundur rutinat e njohura në jetën e përditshme, veçanërisht nëse fëmijët kufizohen në shtëpi. Siguroni aktivitete të përshtatshme sipas moshës për fëmijët. Sa më shumë që të jetë e mundur, inkurajoni fëmijët të vazhdojnë të luajnë dhe të shoqërohen me të tjerët, edhe nëse vetëm brenda familjes, kur këshillohet të kufizohet kontakti shoqëror.
Gjatë periudhave të stresit dhe krizës, është e zakonshme që fëmijët të kërkojnë më shumë afrimitet dhe të jenë më kërkues ndaj prindërve. Diskutoni mbi COVID-19 me fëmijët tuaj, duke dhënë informacione të sinqertë dhe të përshtatshme sipas moshës. Nëse fëmijët tuaj kanë shqetësime, duke i biseduar bashkë këto shqetësime, ju mund të qetësoni ankthet e tyre. Fëmijët do të vëzhgojnë sjelljen e të rriturve dhe emocionet e tyre për të dhëna se si të menaxhojnë emocionet e tyre gjatë periudhave të vështira.
Për kujdestarët e të moshuarve
Të rriturit e moshuar, veçanërisht ata në izolim dhe ata që vuajnë nga demencia njohëse, mund të bëhen më të shqetësuar, më të zemëruar, më të stresuar dhe më të tërhequr në vetvete gjatë epidemisë/ndërsa janë në karantinë. Sigurojuni mbështetje praktike dhe emocionale përmes rrjeteve informale (familjeve) dhe profesionistëve të shëndetit.
Ndani fakte të thjeshta në lidhje me atë që po ndodh dhe jepni informacion të qartë se si të zvogëloni rrezikun e infeksionit me fjalë që të moshuarit me/pa probleme njohëse mund t’i kuptojnë. Përsëriteni informacionin kur të jetë e nevojshme. Udhëzimet duhet të komunikohen në mënyrë të qartë, të përmbledhur, në mënyrë të respektueshme dhe me durim. Gjithashtu, mund të jetë e dobishme që informacioni shfaqet i shkruajtur ose me fotografi. Angazhoni familjen e tyre dhe rrjetet e tjera mbështetëse në ofrimin e informacionit dhe për t’i ndihmuar ata që të praktikojnë masa parandaluese (p.sh. larja e duarve etj).
Nxisni të moshuarit profesionistë, me përvojë dhe të fuqishëm që të ndihmojnë në përpjekjet e komunitetit për t’iu përgjigjur epidemisë së COVID-19.
Popullsia në izolim
Ruani lidhjet dhe kontaktet në rrjetet tuaja sociale. Edhe në situata izolimi, përpiquni sa më shumë që të jetë e mundur të ruani rutinat tuaja personale ditore. Nëse autoritetet shëndetësore kanë rekomanduar të kufizoni kontaktin tuaj fizik shoqëror për të kontrolluar epideminë, mund të qëndroni të lidhur përmes postës elektronike, mediave sociale, bisedave me video dhe telefonit.
Gjatë kohës së stresit, kushtojuni vëmendje nevojave dhe ndjenjave tuaja. Angazhohuni në aktivitete të shëndetshme që ju pëlqejnë dhe ju qetësojnë. Stërvituni rregullisht, ruani oraret e rregullta të gjumit dhe hani ushqim të shendetshëm. Shikojini gjërat në perspektivë. Agjencitë e shëndetit publik dhe ekspertët në të gjithë vendet janë duke punuar kundër epidemisë për të siguruar kujdesin më të mirë për ata që janë prekur.
Raportimet gati të pandërprera në lajmeve për epideminë mund të shkaktojnë shqetësime. Kërkoni përditësime të informacioneve dhe udhëzime praktike në momente specifike gjatë ditës nga profesionistë të shëndetit dhe faqja e internetit e OBSH-së (WHO webiste) dhe shmangni dëgjimin ose ndjekjen e thashethemeve që ju bëjnë të ndiheni në ankth./ /ervo/atsh