Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami ka vizituar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK), ku është pritur nga kryetari i Akademisë, Mehmet Kraja dhe Kryesia.
Gjatë këtij takimi, kryetari Kraja e informoi ministren Bajrami për punën dhe aktivitetet e AShAK-ut, me fokus të veçantë, rreth një dokumenti (platforme) që po e përgatitë Akademia, në bashkëpunim me ekspertët e fushës edhe jashtë Akademisë. “Ky dokument ka të bëjë me çështjen e sistemit të arsimit në Kosovë, ku do të identifikohen të metat dhe vështirësitë me të cilat po përballet sistemi, si dhe do të jepen rekomandime se si të përmirësohet ai”, thuhet në deklaratën për media të kësaj ministrie.
Ministrja Bajrami e mirëpriti kontributin e AShAK-ut duke vlerësuar përfundimet që do të dalin nga dokumenti i Akademisë, e të cilat sipas saj do të shërbëjnë si udhërrëfyes dhe do të trajtohen me kujdes nga Ministria.
“MAShTI në bashkëpunim me AShAK-un dhe gjithë komunitetin e ekspertëve të arsimit të punojnë së bashku për përmirësimin e sistemit të arsimit”, tha ministrja Bajrami.
Në këtë takim, ministrja Bajrami dhe kryetari Kraja u dakorduan që të intensifikojnë bashkëpunimin mes dy institucioneve./Dijasot.com