Në shkollat e Kosovës ende nuk ekzistojnë materiale mësimore digjitale

Zhvillimi dhe prodhimi i materialeve mësimore digjitale nuk është i rregulluar mirë as me legjislacion dhe kjo duhet t’i paraprijë zhvillimit të këtyre materialeve.

Në Kosovë ende nuk ekzistojnë materiale mësimore digjitale shumëdimensionale, të cilat në varësi dhe në përputhje me specifikat e lëndës mësimore, fushës kurrikulare, nivelit e klasës, përmbajtjet do t’I kenë në disa formate të ndryshme, përfshirë pjesët tekstuale dhe audio-vizuale të niveleve të ndryshme (mësimi i diferencuar), aparaturë didaktike interaktive, laborator virtual, animacione, ushtrime e detyra shtëpie të niveleve të ndryshme (mësimi i diferencuar), si dhe lojëra edukative për nxënësit.

Këto materiale do të ofronin mundësi vlerësimi nga mësimdhënësit dhe mundësi vetëvlerësimi për nxënësit, mundësi që mësimdhënësi të shtojë materiale shtesë, mundësi lidhjeje me burime të ndryshme të platformave online, mundësi lidhjeje me pajisjet teknologjike të mësimdhënësit dhe me pajisjet teknologjike të nxënësve në klasë e në shtëpi, etj.

Këto materiale mësimore do duhej të kalonin nëpër filtrat e vlerësimit të mekanizmave të ministrisë, në mënyrë që të mund të përdoren në nivel vendi. Materialet e tilla mësimore digjitale do të duhej të ishin të zhvilluara në mënyrë institucionale, në përputhje me kurrikulat shtetërore, me programet lëndore e me planet mësimore, të cilat të kenë kaluar nëpër filtrat përkatës të kontrollit të MASHTI-t dhe të jenë miratuar për përdorimpër institucionet e arsimit paraunivesitar në Kosovë.

Të vetmet materiale mësimore janë ato që janë prodhuar gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, me qëllim të ofrimit të mësimit në distancë për fëmijë/nxënës të niveleve e kategorive të ndryshme të arsimit paraunivesitar, mirëpo shikuar në planin afatgjatë dhe nga këndvështrimi i cilësisë dhe multidimensionalitetit të materialeve mësimore digjitale të mirëfillta, mund të thuhet se këto materiale janë relativisht të varfra, njëdimensionale dhe me cilësi jo të kënaqshme.

Është me rëndësi të përmendet se zhvillimi dhe prodhimi i materialeve mësimore digjitale nuk është I rregulluar mirë as me legjislacion dhe kjo duhet t’i paraprijë zhvillimit të këtyre materialeve. Burimi: Strategjia e Arsimit 2022-2026/Dijasot.com