850 tekste “Gjuha shqipe dhe kultura shqipe” shpërndahen për nxënësit në diasporë

Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme vijon dërgimin e teksteve mësimore për mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Diasporë, sipas kërkesave të ardhura nga përfaqësitë jashtë vendit.

“850 tekste “Gjuha shqipe dhe kultura shqipe”, Niveli I dhe II, falas për vitin shkollor 2024-2025 u nisën për në Milano (500 tekste), Romë (300 tekste) dhe Bari (50 tekste) të Italisë. Për herë të parë, mësuesit dhe nxënësit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë do të kenë edhe Nivelin II të tekstit didaktik “Gjuha shqipe dhe kultura shqipe”. Teksti “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli I dhe II fizik dhe digjital, është hartuar në përputhje me Kurrikulën e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë, miratuar nga MAS, Shqipëri, dhe MASHTI, Kosovë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën.

Përveç teksteve të dërguara, QBD-ja ofron online edhe tekste të tjera plotësuese për mësimin e gjuhës shqipe, të cilat janë të shfletueshme dhe të shkarkueshme falas online në faqen zyrtare të saj: www.qbd.gov.al