Rama ndan foto nga plazhi i Darzezës

Plazhi i Darzezës, rreth 20 km larg Fierit, po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga pushues vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto nga pushuesit e shumtë që frekuentojnë këtë plazh.

Darzeza, Semani, Ndërnënasi, Pish Poro janë vetëm disa nga plazhet e vijës bregdetare të Fierit, bregdete që në pjesën më të madhe të tyre janë ende të panjohura, edhe pse shumë të bukura dhe me pak shpenzime.

Plazhe ranore me shtrirje të konsiderueshme që të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 km në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 km. Pjesë vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13,7 km, plazhi Ndërnënas 8 km, dhe plazhi Pish Poro 9,5 km.

Hapësira pa fund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta dhe të cekëta, të pasura me gjallesa ujore, janë ato që të ofron kjo pjesë e Adriatikut.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e pushuesve në bregdetin e Fierit.

Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, për qitje me pjatel në pyll, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme./atsh