Nga 1 korriku do të rriten pagat për mësuesit, por edhe punonjësit e shërbimit psikosocial në shkolla.
Ministrja Manastirliu ka sqaruar sa do të jetë rritja në bazë të kualifikimeve.
Kategoria që përfiton më shumë nga kjo rritje janë mësueset e ciklit të ulët.
“Dua të ndaj me ju, por mbi të gjitha më mësuesit një lajm të mirë sa i përket rritjes historike të pagave për mësuesit, e cila fillon nga një korriku. Një rritje e pagave që do përfshijë 30 mijë punonjës në sistemin tonë arsimor, duke qenë kjo rritje më madhe e pagave. Paga mesatare e mesuesve rritet me 18 mijë lekë të reja, duke e çuar pagën mesatarë në 950 euro.
Nëse do të kalonim në kategori specifike, paga mesatare në arsimin e mesëm dhe të lartë, që ka nivelin e kualifikimit dhe vjetërsinë mbi 15 vite punë, do të shkojë nga 79,800 në 98,500 lekë. Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75,800 në 96,000 lekë. Rritje më të konsiderueshme do ta kenë edhe mësuesit e ciklit fillor, ku paga mesatare e mësuesit me eksperiencë mbi 15 vite shkon nga 72,400 në 95,200 lekë.
Pagat përfshijnë mësuesit në sistemin tonë dhe punonjësit e shërbimi psikosocial dhe punonjësit e sigurisë në shkolla. Për punonjësit e shërbimit psikosocial, paga mesatare shkon në 910 euro, ndërsa paga mesatare e punonjësve që lidhen me sigurinë në shkolla shkon në 800 euro.
Përmirësime janë bërë edhe sa i përket nivelit të pagesave për rritjen e kualifikimit të mësuesve ku do të kemi një dyfishim të pagesës sa i përket shpërblimit për kualifikim për mësuesit e nivelit që lidhen me dy kategoritë e para dhe sa i përket mësuesit mjeshtër do të kemi një rritje 50% të masës së shpërblimit”, tha Manastirliu.