25 vjet nga ndërhyrja e NATO-s: Më 10 qershor do të mbahet konferenca ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, merr pjesë ish kryeministri italian Masimo D’Alema

Në panelin  e parë do të flasin kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ish kryeministri i Italisë Masimo D’Alema, Vincenzo Paglia president i Akademisë Papnore për Jetë, Jeffrey Hovenier ambasador i SHBA-së në Kosovë

Në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, për herë të parë në Prishtinë do të mbahet Konferenca ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”.

Me moton  “Shtëpia nuk mbahet pa miq”, thënie e presidentit dr. Ibrahim Rugova, Fondacioni “Ibrahim Rugova “ dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)  organizojnë konferencën ndërkombëtare, më 10 qershor në Klan Arena, e cila do të transmetohet drejtpërsëdrejti.

Njoftimi për organizimin e kësaj konference është bërë nga politikani Alush Gashi, i cili ka publikuar lajmin në rrjetin e tij social Facebook.

“I nderuar të jem pjesëmarrës si folës në Konferencën ndërkombëtare ‘Rugova dhe Perëndimi’”, ka shkruar Gashi duke ia bashkëngjitur këtij njoftimi dhe agjendën e konferencës.

Në mesin e të ftuarve për të folur në konferencë do të jetë prezent në Prishtinë ish kryeministri italian Masimo D’Alema. Ai do të marrë pjesë në shënimin e 25 vjetorit të ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë që i dhanë fund regjimit gjenocidal të Serbisë nën udhëheqjen e Millosheviqit ndaj popullatës civile në Kosovë.

D’Alema është një nga zërat më të fuqishëm të liderëve botëror që mbështetën ndërhyrjen e këtyre forcave dhe pavarësinë e Kosovës.

“Për të qenë të saktë, nuk duhet harruar se nuk kemi shkaktuar konflikt. Lufta ekzistonte. Bile, në qoftë se konsiderojmë luftën civile ballkanike në tërësinë e saj, duhet thënë se ajo tashmë kishte shkaktuar 300000 të vdekur. Ne kemi ndërhyrë ushtarakisht për t’i dhënë fund masakrës. Rekursi ndaj përdorimit të forcës është gjithmonë një zgjedhje ekstreme dhe e dhimbshme, mund të pranohet vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur bëhet fjalë për të mbrojtur jetën, sigurinë, të drejtat e njeriut e mijëra, në mos miliona, njerëzve”, ka thënë D’Alema në intervistën e tij – libri  “Controcorrente” .

Në këtë konferencë do të marrë pjesë edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Konferenca do të nis me fjalimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në mbyllje të saj fjalën përfundimtare do ta ketë dhe politikani Alush Gashi njëri nga njerëzit më të afërt të presidentit Rugova dhe pjesëmarrës në të gjitha proceset për pavarësinë e Kosovës.

Në panelin e parë do të flasin kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ish kryeministri i Italisë Masimo D’Alema, Vincenzo Paglia president i Akademisë Papnore për Jetë, Jeffrey Hovenier ambasador i SHBA-së në Kosovë.

Ndërsa, në panelin e dytë do të flasin gazetari dhe shkrimtari Bledi Fevziu, Adriatik Kelmendi gazetar dhe autor i emisionit Rubikon, Eugen Saraçini gazetar dhe anëtar i Bordit të TV21, si dhe Alush Gashi themelues dhe kryetar i Institutit për Marrëdhënie me jashtë.

NATO sulmoi trupat serbe në vitin 1999 për të parandaluar një “katastrofë humanitare” në Kosovë.

Pas disa muaj negociatash, të cilat nuk dhanë rezultate, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri dhe sipas kësaj organizate operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë.  Sulmet ajrore zgjatën nga 24 marsi 1999 deri në 10 qershor 1999./Dijasot.com