Një grup prej 34 studentësh dhe 3 pedagogësh të Fakultetit Juridik të Universitetit “Hasan Prishtina” u pritën nga FDSSH i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në kuadrin e një study tour.
Gjatë vizitës së tyre studimore në Tiranë ata u shoqëruan nga Dekani i FDSHH Prof. Ksenofon Krisafi, Përgjegjësi i Departamentit të së Drejtës PhD. Besmir Premalaj, Drejtori Ekzekutiv i Shkollës Doktorale PhD. Redion Luli dhe nga Kryesia e Këshillit Studentor të UMSH.
Në ditën e parë të vizitës së tyre ata asistuan në punimet e seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, u pritën në takim nga nënkryetarja e Kuvendit znj. Ermonela Felaj, e cila duke drejtuar seancën, njoftoi publikisht praninë e tyre dhe i përshëndeti.Ata u pritën gjithashtu në Gjykaten Kushtetuese, ku kryetarja, Holta Zaçaj, zhvilloi një bisedë dhe iu pergjigj pyetjeve të tyre. Studenteve iu dhuruan edhe disa botime të GJK.Gjatë ditës së dytë ata u takuan ambientet e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë me ish presidentin, Bamir Topi, i cili zhvilloi një ligjëratë me ta dhe iu përgjigj pyetjeve të studentëve.
Në vijim, Rektori i UMSH Prof. Adrian Civici zhvilloi një leksion të shkurtër për studentët dhe e përmbylli fjalën, duke shprehur mbështetjen dhe angazhimin e të gjithë stafit akademik të UMSH për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Universitetin “Hasan Prishtina” në Kosovë. Qëndrimin në Shqipëri studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” e mbyllën me një vizitë në Muzeun e Skënderbeut në Krujë, thuhet në njoftimin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë ./Dijasot.com
