Shkruan: Refik Maloku
(Reforma-urgjencë)
Shkolla është një institucion nëpër të cilin kanë kaluar dhe kalojnë të gjithë, me qëllimin që këtu, qysh si fëmijë, të marrin formë dhe drejtim, për t’u bërë njerëz të dobishëm për vete dhe shoqërinë.
Në shkollë fëmijët do të duhej të merrnin: edukatën, dijen e të socializoheshin.
Cilat nga këto elemente është duke i ofruar dhe përmbushur shkolla sot?
Në këto kohë të zhvillimit të hovshëm të internetit dhe medieve elektronike, ndikimi i mësusit dhe i shkollës në edukim është pothuajse i papërfillshëm. Në një shoqëri ku vlerësohet pasuria dhe jo dija, ku si shembuj të mirë merren të gjithë ata që janë të pasur, pavarësisht mënyrës se si ka ardhur deri tek ajo pasuri. Fëmijët kanë për idol të pasurit, prandaj fjalët e mësuesit( të varfër) pak ose hiç u bëjnë përshtypje.
Sot është në trend që të fitohet lehtë dhe shpejt, në shkollë nuk mësohet kjo rrugë.Dija që jepet në shkolla, si dhe mënyra e dhënies, janë pothuajse të njëjta me dekada të tëra.
Ndryshimet në shoqëri janë të shpejta dhe të mëdha, prandaj kjo qasje për fëmijët e ditëve të sotme është shumë e mërzitshme, joefikase, ndërsa dija që u ofrohet, është e e thatë, e përgjithshme, pak prej saj u hynë në punë për jetën dhe profesionet që janë në trendLibrat e rinj janë fotokopje e librave të vjetër, me ndonjë reduktim(gjymtim), veç sa për t’u paguar autori i ri.
Mësuesit kanë ndjekur me dhjetëra trajnime, shumica prej tyre pa asnjë impakt, përveç që implementuesit kanë marrë para të majme e mësuesit nga një “copë letër”.
Me shfaqjen e inteligjencës artificiale, secilin problem ose temë, me një klikim në telefon, mund ta gjesh të gatshëm, të saktë dhe të shtjelluar shumë mirë. Kjo e zvogëlon (mos të them e eliminon) nevojën për mësuesin si burim i dijes.
Sot, në përgjithësi, mbretëron individualizmi, jo vetëm te nxënësit, por edhe tek të rriturit, miku më i mirë është bërë telefoni, prandaj edhe ndikimi i shkollave në socializim po zvogëlohet çdo ditë e më shumë.Si përfundim, në të tria objektivat që do duhej t’i realizonte shkolla si institucion, rezultatet lënë shumë për të dëshiruar.
Organet përgjegjëse (MAShTI, drejtoritë komunuale, Inspektorati dhe drejtoritë e shkollave) janë të interesuara për të ruajtur “paqen”. Vetëkënaqen me pozitën e tyre, u mungojnë dija, guximi dhe vullneti për të bërë diçka, prandaj kërkojnë vetëm statistika dhe pjesën administrative.Prindërit, të ndikuar nga dinamika e jetës, nuk kanë kohë e as durim që të merren me fëmijë, kërkojnë vetëm nota të mira, sepse për shumicën, notat janë parametër matës i vlerës së fëmijëve të tyre.
Mësuesit, të humbur në kohë dhe hapësirë, jetojnë në mes iluzionit të trashëguar për vlerën e tyre dhe realitetit të krijuar. Me paga të ulëta dhe dinjitet të nëpërkëmbur, në masën më të madhe ua plotësojnë dëshirën të dyja palëve, kryejnë me rregull pjesën administrative dhe lënë nota të mira.
Viktimë e tërë këtij sistemi janë fëmijët, të cilët në mungesë të përkrahjes adekuate nga asnjëra palë, mbeten të vetëm në rrugëtimin e formimit edukativ, arsimor dhe profesional. Nuk kanë përkrahje, u mungon ngrohtësia në secilin ambient, askush nuk bisedon me ta, kudo zbraztësi, ftohtë.
Prindërit mendojnë se mjafton t’ua përmbushin nevojat materiale, ndërsa mësuesit me shpjegimin e temave që janë në plan.
Prandaj është koha e fundit që e tërë shoqëria (Shteti, Akademia e Shkencave, institutet e ndryshme) të bëjnë ndryshime rrënjësore në tërë sistemin arsimor. Sot nuk mjaftojnë disa ligje, ndonjë nen apo udhëzim administrativ, duhet të reformohen(ndryshohen) të tri shtyllat kryesore: kurrikula, libri dhe mësuesi.
Sot është vonë!
P.S.: Ky shkrim është vetëreflektim, është përshkrim i gjendjes (sipas meje) në të cilën ndodhet shkolla dhe akterët rreth saj.
(Autori është profesor në Gjimnazin”Eqrem Qabej ” – Vushtrri)