Vajza që mund të flasë vetëm me tre njerëz në botë

Vajza Daisy Mae Med ka mutizëm selektiv, një çrregullim të rëndë ankthi, për shkak të të cilit është në gjendje të flasë vetëm me tre njerëz në botë – mamin, babin dhe psikologun e saj.

Kjo vajzë (12), e cila jeton me nënën e saj Louise, u diagnostikua me autizëm dhe mutizëm selektiv. Gjendja e saj do të thotë se ajo nuk mund të flasë me askënd përveç mamasë, babit dhe psikologut.

Mutizmi selektiv është një çrregullim kompleks ankthi që shfaqet vetëm tek fëmijët. Karakterizohet nga paaftësia e fëmijës për të folur dhe për të komunikuar efektivisht në disa mjedise sociale, si në shkollë apo në kopsht, ndërkohë që mund të komunikojë vetëm në mjedise ku ndihet i sigurt dhe i relaksuar.

Edhe pse Daisy Mae ka organizuar shfaqjen e saj bamirëse të talenteve, ku mbajti fjalim në hapjen në Luton, Essex, ajo nuk është në gjendje të bëjë miq për shkak të gjendjes së saj.

“Nuk është e lehtë të shpjegosh se nuk mund të flasësh – ndërkohë që të gjithë flasin. Nëse nuk mund të flasësh, është shumë e vështirë sepse i ke të gjitha përgjigjet në kokë, por nuk mund t’i thuash menjëherë. Ndonjëherë më duket sikur jam në një botë tjetër dhe gjithçka ndodh rreth meje dhe nuk e di si ndihem”, thotë vajza, e cila ndonjëherë ngushëllon veten se kjo nuk i shkakton aq problem sepse “nuk do miq”. Por më pas ajo pranon se “ende do” kur sheh bashkëmoshatarët e saj duke komunikuar.

Kur është jashtë komoditetit të shtëpisë së saj, gjatë komunikimit Daisy Mae frikësohet dhe “ngrihet” dhe nuk mund të gjejë fjalët e nevojshme. Ajo mund të flasë vetëm me mamin, babin dhe psikologun. Për shkak të kësaj, ajo është e shkolluar në shtëpi dhe zbuloi se ishte viktimë e bullizmit gjatë ndjekjes së shkollës, gjë që ushqeu ankthin e saj.

Që kur u shkollua në shtëpi, Daisy Mae ka qenë në gjendje të gjejë gjërat që i pëlqejnë. “Gjërat e mia të preferuara për të bërë janë performimi, kërcimi dhe këndimi në pantomimë dhe imitimi i njerëzve që kam takuar. Mbi të gjitha, më pëlqen të organizoj ngjarje dhe të kaloj nëpër të gjitha sfidat për t’i bërë gjërat të ecin dhe të jenë të suksesshëm. Kur shoh njerëz që kënaqen (në ato ngjarje), atëherë buzëqesh më shumë”, ka treguar kjo 12-vjeçare.

Më 2 mars, Daisy Mae mbajti talent show-n e saj bamirës të quajtur Uniquely me, gjatë të cilit ajo iu drejtua audiencës. Shfaqja gjithëpërfshirëse e talenteve mblodhi 305 £ për bamirësinë e Shoqatës së Informacionit dhe Kërkimit të Mutizmit Selektiv (SMiRA) në Mbretërinë e Bashkuar. “Më lindi ideja e një talent show dy vite më parë dhe ëndërroja ta bëja të gjitha vetë. E gjetëm hapësirën dhe kur e vizitova ishte absolutisht perfekte, ashtu siç e kisha ëndërruar”, tha vajza e guximshme.

“Isha shumë i emocionuar dhe menjëherë fillova të punoja për dizajnimin e shfaqjes. Ishte vërtet e rëndësishme për mua që ishte një talent show gjithëpërfshirës dhe doja që fëmijët që ishin në të të
ndiheshin të mirëpritur, edhe nëse nuk kishin performuar më parë”, shtoi ajo, raporton Mirror.

Daisy Mae zbuloi se fjalimin e mbajti me “ndihmën e psikologut të saj” edhe pse nuk ishte e sigurt se do t’ia dilte, por kur u ngjit në skenë “gjithçka ra në vend”.

“Psikologu im mbajti një fjalim dhe unë vendosa në ekran fraza për mutizmin selektiv. Ndjeva se mund të bëja gjëra më të mëdha dhe më të mira dhe se asgjë nuk ishte e pamundur”, tha ajo.

Suksesi i shfaqjes e inkurajoi Daisy Mae që të vazhdojë të organizojë shfaqje të ngjashme, duke thënë se do të dëshironte të jetë argëtuese për fëmijë kur të rritet. Por kjo vajzë e vogël gjithashtu dëshiron të ndërgjegjësojë njerëzit për vështirësitë e mutizmit selektiv. Por, para kësaj, për të gjetur një mik/e./DG/Dijasot.com