Arsimi Profesional, Ibrahimaj: Hap i rëndësishëm në zhvillimin e kapitalit njerëzor

Ministrja e Shqipërisë për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj mori pjesë në Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, “Aftësi 2030”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ibrahimaj e cilësoi këtë konferencë, një ngjarje që shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një modeli zhvillimi të një kapitali njerëzor dinamik dhe novator.

“Është koha që, jo vetëm qeveria, por të gjithë aktorët, veçanërisht sektori privat, të angazhohen për aftësimin e fuqisë punëtore”, tha Ibrahimaj.

Ministrja u shpreh se, aftësimi i fuqisë punëtore kontribut për të rritur vlerën e shtuar në ekonomi.

Konferenca dyditore Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional bëri bashkë partnerë strategjikë të fushës, me qëllim eksplorimin e mënyrave se si sistemi i AFP-së mund të kontribuojë në agjendën për zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Konferenca u organizua nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, i cili orienton dhe mbështet përpjekjet strategjike të Qeverisë Shqiptare në pajtim me prioritetet e BE-së në procesin e integrimit, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si një parter i kahershëm për konsolidimin dhe transformimin e sistemit të AFP-së në Shqipëri dhe UNDP-në, si një katalizator i përpjekjeve të qeverisë shqiptare në proceset e reformimit të politikave për zhvillimin e aftësive./atsh