Kosova feston sot 16 vite që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008. Deri më tani mbi 100 vende të botës e kanë njohur atë.
Në 15 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive. Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.
E ndërsa dita e pavarësisë po festohet mes homazheve e aktiviteteve të ndrysmë të organizuara nga qeveria e Kosovës, të shumta kanë qenë edhe urimet e ndërkombëtarëve, të cilët gjejnë te Kosova një shtet demokratik e aleat të mirë.
Urimet kanë nisur që pasditen e djeshme ku presidenti francez Emanuel Macron, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe ai gjerman Frank-Walter Steinmeier, i kanë dërguar letra urimi presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit.
Urime i kanë shkuar presidentes edhe nga mbreti i Mbretësrisë së Bashkuar, Charles III si dhe nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Ne telegramin e tij Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, vlerësoi lartë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve.
“E vlerësoj lidhjen në mes të shteteve tona, dhe shpresoj se dy vendet tona do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në çështje te rëndësishme globale, qofshin ato për paqe e prosperitet apo ambienti e ngrohja globale, por nga të cilat do të përfitojnë brezi ynë i ardhshëm.”
Në urimin e tij Biden përmend partneritetin me Kosovën, ndërsa shton se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellët eventuale.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kosovën multietnike dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të lehtësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, një hap i rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë eventuale. Krahas kombeve në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën, Shtetet e Bashkuara inkurajojnë lidershipin e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, duke përfshirë të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura përmes këtij procesi.”
Në të njëjtë linjë ka qenë edhe urimi i sekretarit të shtetit Antony Blinken:
“Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të lulëzojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë. Urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Paçi një vit të qetë dhe të begatë”, shkruan Blinken në përfundim të një urimi të gjatë.
“Gëzuar ditëlindjen e 16-të! Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës ! Mezi pres që Kosova të vazhdojë të lulëzojë dhe të përparojë edhe për shumë vite të tjera”,-shkruan në platformën X Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon./euronews.al/