Kryeqyteti së shpejti do të bëhet me kamera të sigurisë

Kamerat e sigurisë me inteligjencë të lartë artificiale do të vendosen për identifikimin e personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet...

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se për herë të parë në Prishtinë, nga ky fillimvit do të vendosen kamerat e sigurisë të cilat do t’i monitorojë policia e vendit.

“Këto kamera kanë një intelegjencë të lartë artificiale, prodhim amerikano – kanadez, të cilat do t’na ndihmojnë që përmes policisë, të bëjmë identifikimin e personave të cilët hedhin mbeturina, parkojnë në trotuare apo vende ku nuk lejohet”, ka njoftuar Rama.

Kryetari Rama ka thënë se po ashtu përmes këtij sistemi, do të identifikohen, në kohë rekord, personat e përfshirë në vjedhje, rrahje apo çfarëdo vepre të tillë, dhe “besojmë se do të ulë numrin e këtyre rasteve dhe rrisë nivelin e sigurisë në kryeqytet”.

“Personat të cilët me makina hynë gabim në rrugë një kahëshe, bëjnë tejkalim në vijë të plotë ndarëse, apo udhëtojnë me veturë të paregjistruar, do të identifikohen menjëherë nga këto kamera, të cilat do të japin sinjalet në qendrën e monitorimit në polici, duke ndikuar që shkelje të tilla të ndodhin sa më pak. Kryeqyteti do të jetë më i sigurt!”, ka shkruar Rama në një njoftim të tij në rrjetin social Facebook. /Dijasot.com