Për mësimdhënësit: Cila është motoja juaj në klasë?

Elena Aguilar, pas peripecive të shumëta tregon se si e ka formuluar moton e saj dhe pse është e rëndësishme që mësimdhënësi të ketë një moto udhëzuese të punës

Për disa prej nesh, motoja buron nga përvoja jonë në shkollë – ashtu si në rastin tim. Kam lindur në Londër. Babai im është nga Kosta Rika, dhe nëna ime është çifute amerikane. I përkisnim klasës punëtore që jetonte në periferi në fillim të viteve 1970 dhe ndryshuam me shpejtësi nën ndikimin e emigracionit nga ish-kolonitë britanike. Kur nisa shkollën, kuptova menjëherë se askush nuk fliste spanjisht (gjuhën time të parë) dhe nuk do të më pranonin nëse do ta flisja. Papritmas ndalova së foluri spanjisht sepse doja të përshtatesha.

Dita e shkollës filloi me një mbledhje të përbashkët ku kënduam himne të krishtera dhe u lutëm (në Angli shteti dhe kisha nuk janë të ndara). Duke qenë se krishterimi nuk është feja e prindërve të mi, mora një mesazh tjetër në shkollë: “Nëse dëshiron të bësh pjesë, ul kokën dhe lutu”.

Nëna ime protestoi dhe u bë një përjashtim që nuk duhej të përkulesha dhe të lutesha, por ndërsa shikoja të gjitha kokat e ulura të nxënësve të tjerë jo të krishterë, pyesja veten se çfarë thoshte kjo për përkatësinë tonë. Mesazhi ishte i qartë, nuk më duhej të mendoja shumë: nuk përkisja aty. Në fakt, kam dëgjuar vazhdimisht fëmijë të bardhë britanikë që ngacmojnë fëmijët emigrantë me fjalë të tilla si: “Kthehuni aty ku e keni vendin!”

Kur isha dhjetë vjeç, nëna, vëllai dhe unë u kthyem në Amerikë, në një qytet të vogël në bregdet, ku nana ime kaloi pensionin. Kjo shoqëri ishte paqësore dhe e pasur, por i mungonte diversiteti racor dhe socio-ekonomik (ishte gjatë kësaj periudhe që nëna ime ishte duke luftuar për të siguruar bukën e gojës). Që nga dita e parë në klasën e pestë, më ngacmonin për rrobat e mia (të cilat vinin nga Ushtria e Shpëtimit) dhe për theksin tim. Më thanë: “Kthehu në Meksikë”, gjë që më hutoi plotësisht. Mesazhi që më dërguan bashkëmoshatarët e mi ishte i qartë: “Ti nuk përket këtu.” Ndërsa kujtoj këto fjali, e kam të qartë se nuk i përkisja atyre komuniteteve për shkak të një gjuhe të ndryshme, traditës fetare, të ardhurave të mamasë sime. lëkura ime më e errët dhe emri im spanjoll. Ai mesazh: “Ti nuk përket këtu” erdhi nga fëmijët, por të rriturit nuk i ndërprenë. Erdhi edhe nga institucionet zyrtare – mesazh që vendosa ta ndaloja kur u bëra mësues. Motoja ime në klasë është: “Ti përket këtu”.

Ju bëni pjesë këtu!

Ti përket. Përkisni këtu kushdo që jeni dhe nga ku jeni, pa marrë parasysh se çfarë gjuhe flisni apo nga cila traditë vini apo nga janë blerë rrobat tuaja. Asnjë nga këto nuk do të jetë arsye për të mos i përkitur kësaj klase. Ky është rregulli i parë në klasën tonë: Ti përket. Nëse keni një moto, do të thotë që veprimet tuaja udhëhiqen nga një parim. Motoja ime nuk është diçka që ua përsëris rregullisht studentëve, por një mendim udhëzues që ndikon në vendimmarrjen time.

Vendimet kanë të bëjnë me:

Si ulen nxënësit në grupe 
Si zgjidhen ose çiftëzohen 
Si luajnë gjatë pushimit 
Si pranohen nxënësit e rinj në komunitetin tonë 
Si e kam planifikuar me vetëdije zhvillimin e komunitetit tonë të nxënësve

Mund të jetë e vetëkuptueshme, por asnjë formë poshtërimi nuk lejohet në klasën time. Nëse kjo ndodh, unë do të shpenzoj aq kohë sa të jetë e nevojshme për të zgjidhur çështjen. Më kujtohet një pasdite në klasën e tretë kur dy vajza u grindën se kush do të ishte në cilin grup. Mbaj mend që rrija ulur me ta në dysheme për orë të tëra duke u përpjekur për të zgjidhur këtë konflikt, shkaku i gjithë kësaj është dëshira e fëmijëve për të pasur vendin e tyre në komunitet dhe për t’u pranuar. Edhe pse gjithmonë jam përpjekur për këtë qëllim, e pranoj që jo gjithmonë kam ia kam dalë ta arrij. Kishte situata ku do të kisha shteruar të gjitha aftësitë e mia për t’u marrë me një fëmijë të caktuar – një fëmijë që kishte nevoja kaq të gjera sociale dhe emocionale, saqë unë nuk isha aq e aftë për t’i trajtuar.

Ndihem e trishtuar kur mendoj për atë numër të vogël fëmijësh që mendoj se nuk ndiheshin të mirëpritur ose nuk mendonin se përkisnin atje. Në përgjithësi, mendoj se shumica e ish-nxënësve të mi do të thoshin se ndiheshin pjesë e komunitetit në klasën time dhe se nuk lejova askënd të mbetej jashtë ose të mos kishte miq për të bashkëpunuar në një projekt ose për të qëndruar i vetëm në pushim. Kjo më bën të ndihem mirë.

Si të artikuloni moton? Cila është motoja juaj në klasë? Çfarë ju frymëzon, thellësisht dhe autentikisht? Çfarë përpiqeni të krijoni dhe t’u ofroni nxënësve tuaj në klasën tuaj? Unë ju sugjeroj të mendoni për këto pyetje. Ndani idetë me kolegët, shkruani rreth tyre dhe shikoni nëse ato ju çojnë në mendimin tuaj udhëzues. Do t’i lehtësojë vendimet tuaja të përditshme dhe do t’ju ndihmojë të ndiheni më të sigurt dhe të fuqizuar, duke ju ndihmuar në fund të jeni një mësues më i mirë për nxënësit tuaj./DG/DijaSot