Kjo fotografi është shkrepur në Vlorë, në fillim të dhjetorit.
Isa Boletini i siguron jetën Ismail Qemalit duke i ofruar mbrojtje.
“Megjithëse ishte në qytetin e tij, Kryeministri i sapozgjedhur Ismail Qemal Vlora nuk ishte i sigurt mes rivalëve politikë dhe grupeve të parapolitikës”, shkruan historiani Durim Abdullahu, i cili ka publikuar dhe foton.
Sipas tij ai i kërkoi Isa Boletinit dy djem nga kosovarët e tij, për ta shoqëruar dhe për të bërë roje në derë.
“Isa Boletini ia caktoi dy shaljanë: Halim Musa Bajgorën dhe Ahmet Ali Llapin, që nuk e lëshonin kambësh Ismail Qemalin. Trupat kosovare të Isa Boletinit vunë qetësi në Vlorë dhe u bënë bërthamë e xhandarmërisë shqiptare”, thotë Abdullahu.
Isa Boletini ishte ftuar si përfaqësues i Kosovës nga Ismail Qemali për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar, i cili do shpallte pavarësinë e Shqipërisë. Ai ishte një nga udhëheqësit kryesorë të kryengritjeve shqiptare të vitit 1910, me aftësi të dalluara organizimi dhe drejtimi, aq sa turqit mendonin se kishin të bënin me ndonjë gjeneral të huaj.
Emri i Isa Boletinit, bashkë me atë të Ismail Qemalit, jetojnë prej 111 vjetësh ndër shqiptarë. /Dijasot.com