Temperatura globale për herë të parë 2°C mbi mesataren sezonale: Është tejkaluar kufiri i sipërm i Marrëveshjes së Parisit

Temperatura mesatare globale të premten e kaluar ishte për herë të parë më shumë se dy gradë Celsius mbi mesataren sezonale nga periudha para-industriale, pra mbi kufirin e sipërm të Marrëveshjes së Parisit, njoftoi Observatori Evropian Copernicus.

Sipas të dhënave paraprake, temperatura globale më 17 nëntor ishte 2,06 gradë Celsius më e lartë se mesatarja e regjistruar midis viteve 1850 dhe 1900, shkroi në X, Samantha Burgess, nënkryetare e Departamentit të Ndryshimeve Klimatike të Copernicus-it.

“Për ditën e parë që kur janë mbajtur të dhënat, temperatura globalisht ka tejkaluar nivelin para-industrial me më shumë se 2°C”, shtoi ajo.

Klima aktuale konsiderohet të jetë rreth 1.2°C më e ngrohtë në krahasim me atë periudhë.

Rritja globale e temperaturës mesatare

Qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar në 2015 në fund të takimit të klimës COP21 është “të mbajë rritjen mesatare globale të temperaturës nën 2°C në krahasim me vlerat para-industriale” dhe të vazhdojë përpjekjet për “të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5°C. mbi vlerat paraindustriale”.

Në një raport të posaçëm të IPCC të vitit 2018, ekspertët e ndryshimeve klimatike të mbledhur nën kujdesin e OKB-së miratuan përkufizimin e ngrohjes si mesatare “për një periudhë prej 30 vjetësh” krahasuar me “periudhën e referimit nga 1850 deri në 1900”.

Dita e parë e regjistruar që arriti temperaturën mbi pragun prej 2°C është vetëm pjesë e një serie rekordesh famëkëqia.

Të dhënat e temperaturës nga qershori deri në tetor tregojnë se këta janë muajt më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave të Copernicus-it. Zyrtarët e Observatorit besojnë se viti 2023 pothuajse me siguri do të tejkalojë rekordin vjetor të vendosur në 2016.

Tetori i vitit 2023 ishte “1.7°C më i ngrohtë se mesatarja e tetorit në periudhën 1850-1900”, njoftoi Observatori në fillim të nëntorit.

Temperaturat rekord rezultojnë në thatësira, të cilat janë sinonim i urisë, zjarreve shkatërruese ose uraganeve, kanë paralajmëruar shkencëtarët.

Gjithçka do të diskutohet në konferencën e 28-të të OKB-së për klimën, e cila do të mbahet në Dubai nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor./DG/DijaSot