Të rinjtë më të fuqishëm e më të zotë rekrutoheshin nga turqit për luftëra në vende të largëta dhe mua më kujtohet kur isha fëmijë, që nga një regjiment me shqiptarë, i dërguar për të shuar një kryengritje në Arabi, u kthyen vetëm një grusht njerëz. Do të ishte e tepruar të thuhej se shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e atyre që ishin aq të gatshëm për të shkuar në luftë; por duhej pritur një farë rënieje e vitalitetit, e shkaktuar nga shërbimi ushtarak gjatë pesëqind vjetëve.
Në kohët e vona dhe pikërisht në luftën greko-turke të vitit 1897, gjenerali prusian Fon Grunkow e shprehu botërisht admirimin e vet kur pa një repart me shqiptarë në Thesali, që iu ngjit një kodre dhe shtiu në dorë një bateri armike. Korrespondenti i Taimsit (Times) të Londrës në atë luftë, Clive Bingham, vë në dukje se “shqiptarët, në tërësi, nuk janë të denjë për famën e tyre”; por kur i pa me sytë e vet në luftim e sipër shkroi: “Herë pas here shqiptarët zbrisnin të poshtë bregut dhe përpiqeshin pastaj t’i ngjiteshin rrëpirës, por zjarri që i godiste nga lart ishte vdekjeprurës, kurse bateritë, prapa tyre, bënin një efekt shumë të vogël mbi mburojat prej shkëmbi dhe guri”.
Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë të rastit, që i kanë quajtur me emra të ndryshëm (kapelet, stradiot, estradiot, korval, morien, gjeneter), kanë luftuar në ushtritë e Francës, Spanjës, Perandorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, duke lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata ishin të ndershëm si luftëtarë dhe nuk e linin punën përgjysmë, sikundër e kishin zakon shumica e mercenarëve. Francezët e patën provuar mbi kokën e tyre zellin e këtyre ushtarëve, që luftonin për zotërinjtë e tyre njëlloj sikur të ishin duke mbrojtur ndonjë çështje të vetën. Kur u dorëzua qyteti i Novaras në vitin 1500, francezët i përjashtuan shqiptarët nga e drejta e daljes prej qytetit të paprekur, sepse, thotë Zhan Doton (Jeand d’Auton) “ata kanë ardhur më shumë se një herë nga një vend i largët, për të luftuar kundër francezëve”.
Më vonë, siç duket, francezët e kuptuan se shqiptarët nuk kishin ndonjë inat të veçantë kundër tyre dhe se luftonin vetëm pse e quanin luftën detyrë nderi. Në vitin 1503 francezët morën në shërbim ushtarë shqiptarë dhe kështu në ushtrinë e Luigjit XII kishte një korpus prej njëmijë e dyqind shqiptarësh, të cilët treguan guxim të shkëlqyer dhe për gati një shekull u bënë pjesë e pandarë e ushtrisë frënge. Mbretërit e Francës vinin kurdoherë fisnikët më në zë në krye të këtyre trupave të zgjedhura.
Në mes të tjerëve, si komandant i përgjithshëm i tyre, ka qenë për një farë kohe Duka i Brisakut (Brissac). Në betejën e Kutra-së (Coutras), më 1587, shqiptarët u vranë deri në njeriun e fundit. Për herë të fundit trupat shqiptare në ushtrinë frënge i takojmë në betejën e Ivri-së (Ivry) më 1590. Brantomi (Brantôme) shkruan se shqiptarët kanë qenë krijuesit e kalorësisë së lehtë; ndonjë shkrimtar tjetër nuk është i një mendimi me Brantomin, por pohon se, me metodat që ata përdornin në luftë, i dhanë shkas krijimit të kalorësisë së lehtë. Kronika e Zhan Dotonit, që përmendëm më lart, i përshkruan me hollësi mënyrat e luftimit të këtyre mercenarëve shqiptarë. Porsa jepej shenja e sulmit nga komandanti i përgjithshëm, ata lëshoheshin mbi kuaj në mes të radhëve të armikut, duke mbajtur heshta të gjata me një flamur të vogël në majë, jepnin një goditje të fuqishme dhe shkaktonin panik në radhët e kundërshtarit, pastaj i qëndronin besnikë kodit të tyre të nderit dhe nuk e harronin parimin sipas të cilit “koka e falur (e ulur) nuk pritet”.