
Fondacioni “Hasan Prishtina” organizon, të shtunën në kryeqytetin e Kosovës, inaugurimin e bustit të heroit kombëtar Hasan Prishtina.
Inaugurimi bëhet me rastin e dy jubileve, atë të 150-vjetorit të lindjes dhe 90-vjetorit të vrasjes së ideologut, intelektualit e atdhetarit të shquar shqiptar, i cili kishte lindur më 1873 në Vushtrri.
Pjesë e këtij inaugurimi do të jenë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj; kryeministri i Kosovës, Albin Kurti; kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe Shqipërisë, pasardhësi i Gjergj Kastriotit Loris Kastrioti – Skënderbeu II, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj dhe të ftuar të tjerë.
Busti do të vendoset në rrugën “Hasan Prishtina”, në lagjen e re “Priam Village Prishtina” në Prishtinë.
Një javë më parë, më 18 nëntor, në bashkëpunim me Bashkinë e Dibrës, në Peshkopi u inaugurua busti Hasan Prishtina në Peshkopi.
(Në foto, pamje nga zbulimi i bustit në Peshkopi të Dibrës)