Të dhëna katastrofike: Gjithnjë e më shumë njerëz po vdesin për shkak të nxehtësisë dhe ky numër do të katërfishohet nga mesi i shekullit

Problemet shëndetësore dhe vdekjet nga temperaturat e larta po bëhen më të zakonshme me ngrohjen e planetit, tha të martën një grup ndërkombëtar ekspertësh shëndetësorë, duke parashikuar se vapa nga mesi i shekullit do të vrasë 370 për qind më shumë njerëz në vit.

Bota është tashmë 1.1 gradë më e ngrohtë se nivelet para-industriale, kjo është arsyeja pse ka pasur një mesatare prej 86 ditësh me temperatura të larta të rrezikshme në mbarë botën vitin e kaluar, sipas një raporti të botuar në revistën shëndetësore Lancet.

Personat mbi 65 vjeç janë më të rrezikuar nga goditja e nxehtësisë dhe numri i vdekjeve për shkak të temperaturave të larta në këtë grupmoshë është rritur me 47 për qind në dekadën e fundit krahasuar me periudhën 1991-2000.

Hulumtimi, në të cilin morën pjesë më shumë se njëqind ekspertë nga 52 institucione dhe agjenci të Kombeve të Bashkuara, thellon shqetësimin për pasojat shëndetësore të ngrohjes globale.

Një studim i publikuar në fillim të këtij viti doli në përfundimin se rreth 61 mijë njerëz vdiqën gjatë verës së vitit 2022 për shkak të valëve të të nxehtit, raporton Reuters, transmeton Dijasot.com

“Po e paguajmë me jetë,” paralajmëroi drejtuesja e raportit, Marina Romanello , duke folur për veprimin e pamjaftueshëm të botës ndaj ndryshimeve klimatike.

Raporti i Lancet-it thekson gjithashtu se ekspozimi ndaj nxehtësisë në vitin 2022 çoi në 490 miliardë orë pune më pak, ose 42 për qind krahasuar me periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2000.

Paralajmërohet se valët më të shpeshta të të nxehtit mund të kërcënojnë furnizimin me ushqim për 525 milionë njerëz të tjerë.

Takimi ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike COP28, i cili fillon në Dubai në fund të muajit, do të shqyrtojë për herë të parë pasojat shëndetësore të ngrohjes globale./DG/DijaSot