Bursa për nxënësit/atomistët në American School of Kosova (ASK)

Edhe këtë vit si çdo vit shkollor tash e disa vite, falë memorandumit të bashkëpunimit në mes të Institutit ATOMI dhe American School of Kosova (ASK), atomistët po përfitojnë nga mundësia për t’u shkolluar në ASK, me bursa 100%.

“Çdo vit shkollor ASK ofron 6 bursa të plota shkollimi për atomistët në klasët 7 deri 12 dhe 1 bursë për Fituesin/en e Vendit të Parë në nivel vendi në të gjitha kategoritë në Garën Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”. Ky partneritet promovon një ambient mbështetës për atomistët dhe ne mirëpresim zhvillimin dhe sukseset e radhës të këtyre nxënësve përgjatë rrugëtimit të tyre akademik në ASK”, thuhet në njoftimin e Institutit Atomi.

Instituti ATOMI e falënderon ASK-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe për përkrahjen që e ofron për atomistët.

” Vetëm duke u ofruar mundësi, kushte, trajtim, përkujdesje e shkollim të veçantë bazuar në potencialet e tyre intelektuale, dhuntinë, talentin, personalitetin, ambiciet, interesimet, motivacionin, dhe kushtet socio-ekonomike atomistët do të mund të zhvillojnë e realizojnë maksimalisht potencialin e tyre!”, thuhet në fund të njoftimit./Dijasot.com