86 vjet më parë, Parashqevi Qiriazi themeloi organizatën e parë femërore në Shqipëri “Gruaja Shqiptare”

Në vitin 1919, Parashqevi Qiriazi mori pjesë si delegate në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësuese e delegacionit shqiptaro-amerikan dhe si e vetmja delegate femër nga të gjitha vendet e asaj Konference.

Më 1 nëntor 1937, u miratua statuti i shoqërisë “Gruaja Shqiptare”, një nga organizatat e para femërore në Shqipëri. Parashqevi Qiriazi ishte sekretare e kësaj shoqërie.  

Qiriazi ishte pedagoge, intelektuale e shquar, veprimtare e arsimimit të femrës shqiptare, pjesëmarrëse e Kongresit të manastirit, autore e abetares së parë shqipe sipas alfabetit të Manastirit dhe e himnit të tij, e para femër shqiptare autore e një projekti arsimor.

Në periudhën 1917–1920, Parashqevi Qiriazi qëndroi në SHBA. Atje, në qytetin Boston nxori dhe redaktoi revistën “Yll`i Mëngjesit.” Në këtë revistë kishte edhe rubrikën e saj me titull “Fleta e editorit“ ku botoi një varg punimesh në lidhje me arsimin dhe edukatën.

Në vitin 1919, Parashqevi Qiriazi mori pjesë si delegate në Konferencën e Paqes në Paris si përfaqësuese e delegacionit shqiptaro-amerikan dhe si e vetmja delegate femër nga të gjitha vendet e asaj Konference.

Më 13 janar 1922 revista amerikane “The Oberlin Revieë“, duke njoftuar për emërimin e Kristo Dakos në zyrën e Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, më 7 dhjetor 1921, mes të tjerash rikujton se Parashqevi Qiriazi kishte gradën akademike master prej vitit 1913 nga departamenti i edukimit i Universitetit të Oberlinit.

Po në këtë vit, Parashqevia kthehet nga Shtetet e Bashkuara, emërohet drejtoreshë e Shkollës Shqipe të Vashave të Korcës.  Më 2 korrik 1931, Instituti Qiriazi (Kyrias) dhe të dy motrat: Parashqevia dhe Sevastia dekorohen me “Urdhrin e Skënderbeut,” ndërsa në vitin 1933 mbyllet Instituti Arsimor Qiriazi (Kyrias).

Edhe Parashqevia, sikurse rilindësit e tjerë, e vlerësoi shumë rëndësinë e arsimit. Sipas saj, “arsimi kombëtar është shtylla e hekurt e rojtjes së kombit.” Prandaj, ajo thekson se në mbarë botën është “i pranuar parimi, se ç`do njeri që sjell Perëndia ndë këtë botë, ka të drejtë të plotë të arsimohet…”

Në shkrimet e saj, Parashqevia u morë me çështje të ndryshme të arsimit. Arsimi sipas saj ka kuptim shumë më të gjërë se mësimi. Derisa “mësimi është vetëm të mbledhurit e faktevet dhe idhevet të të tjerëvet; është të mbushurit e mëndjes me diturinë e gjëravet të ndryshme”… “arsimi përket njerinë përgjithërisht – trupin, mëndjen edhe zembrën”

Në studimin e saj “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit për Shqipëri”, pasqyrohen më së miri pikëpamjet pedagogjike e organizative të Parashqevi Qiriazit. Këtu ajo paraqet “një sistem ideal“ të arsimit për Shqipëri, i cili u përgjigjej nevojave kombëtare të asaj kohe si dhe kohëve të pritshme. Ajo parashikon themelimin e të gjitha shkallëve të shkollimit duke filluar nga institucionet parashkollore e deri tek universiteti. Edhe procesin e përgatitjes së mësimdhënësve e parashikonte si pjesë të arsimit të lartë – universitetit. Për secilën shkollë dhe nivel të arsimit saktëson detyrat përkatëse dhe planet mësimore, pa mësimin e fesë, sipas modelit amerikan. Shkolla fillore, sipas saj, duhet të jetë falas ashtu si edhe tekstet dhe mjetet mësimore për fëmijët e vobektë. Risi për kohën, tek projekti arsimor i Parashqevi Qiriazit, paraqet përfshirja e femrave në të gjitha shkallët e shkollimit pastaj të institucioneve parashkollore (Kindergarten dhe Montessori), shkollave speciale si dhe koedukimi (shkollat mikste për të dy gjinitë) në arsim. Marrë në përgjithësi, projekti arsimor i Parashqevi Qiriazit është projekti i dytë pas atij të Sami Frashërit dhe projekti i parë i hartuar nga një femër shqiptare. Ai ka karakter programatik dhe shquhet për nga shkalla e lartë shkencore, demokratike, pragmatike, humaniste dhe iluministe. Me këtë dhe kontributet tjera në fushë të arsimit, kulturës dhe të psikopedagogjisë shqiptare, Parashqevi Qiriazi, “zë një vend nderi në panteonin e pedagogëve të shquar shqiptarë”./ Dijasot.com