Editorial: Vizita e pesëshes së madhe në Prishtinë e Beograd, fokusi në lidhëzen “Edhe”

Formula e Presidentes Osmani e shpalosur javë më parë se Asociacioni do të bëhet bashkë me amerikanet është alternativa dhe shpresa e vetme për kapërcimin e kësaj nyeje (Edhe) dhe ruajtjen e karakterit unik të shtetit të Kosovës.

Pas vizitave që pesëshja e madhe euroamerikane bëri në Prishtinë dhe në Beograd, emisari i Bashkimit Evropian ,Miroslav Lajçak e bëri të qartë se të fortët e botës gjithëmonë kanë plan dhe kësaj here kanë ardhur me plan të ri: dialogu si alternativë e vetme dhe respektimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.

Dhe, para së gjithash ai tha shumë kuptueshëm se asociacioni është detyra e parë që duhet të kryhet, pasi që përçoi mesazhin se institucionet evropiane dhe amerikane janë në një vijë për zgjidhjen e këtij konflikti dhe se pa zgjidhjen e tij, nuk ka vend as për Kosovën,  as për Serbinë në BE.

Në vazhdim ai theksoi se kryeministri Kurti ka përgjegjësi të veçantë dhe e lavdëroi atë, që nënkuptohet se Kryeministri nuk e ka kundërshtuar planin e pesëshes së madhe e që ky është lajm i mirë. Këtë e vërtetoi më vonë vet kryeministri Kurti, duke e falenderuar peseshen e madhe për planin e ri.

Në Prishtinë asnjë fjalë nuk u tha për sulmin serb më 24 shtator, sikur ai të mos kishte ndodhur. Mirëpo, në Beograd u pa qartë se ai sulm mbetët “gur mulliri në qafën e Serbisë” dhe fjala e Lajçakut u përqendrua pikërisht te 24 shtatori dhe iu kërkua Serbisë që përpos dënimit të rastit s’ka rrugë tjetër- dënimit të kriminelëve.

Edhe në Beograd pesëshja e bëri të qartë se e vetmja rrugë është ajo e bisedimeve deri në Marrëveshje.

Vuciqi edhe kësaj here vajtoi sipas shkollës së vjetër të diplomacisë serbe, duke e vlerësuar si takim të vështirë për Serbinë dhe për të personalisht dhe duke u munduar ta bindë opinionin serb se ai nuk do të dorëzohet dhe se  është me shpresë se në takimet e ardhshme intensive në Bruksel do të gjejë ndonjë rrugëdalje nga kriza.

Komentet për takimin e pesëshes së madhe si në Prishtinë e Tiranë, ashtu edhe në Beograd ishin të pakta fare.

I vetmi reagim që vlen të veçohet është ai i profesor Enver Bytycit , i cili kërkoj nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të ruhen nga hileja e cila fshihet në një detaj, konkretisht në lidhësen “edhe” të këtij Plani të ri të pesëshes ku thuhet se asociacioni duhet bazuar edhe në Planin e Ahtisarit, sepse asociacioni duhet bërë vetëm sipas Planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pasi marrëveshjet ndërkombëtare, e mirë apo e keqe, duhet respektuar dhe formimi i këtij aociacioni s’ka alternativë, atëherë duket se formula e vetme e drejtë dhe e mundëshme është ajo që kohë më parë e paralajmëroi presidentja Osmani se tekstin e asociacionit do ta bëjmë bashkë me amerikanet. Kjo mbetet e vetmja mundësi dhe shpresë që të kalohet kjo nyje gordiane dhe Kosova të mbetet shtet unik dhe funksional.

Sepse, Serbia nuk e pranon asnjë lloj asociacioni apo zgjidhje brenda Republikës së Kosovës, njejtë si me rastin e Republikes serbe të Kroacisë me atë planin Z4, në vitin 1994. Serbinë nuk e knaq asnjë zgjidhje.