Trafikimi i qenieve njerëzore, si shkel të drejtat e njeriut dhe ndikon negativisht në jetët e tyre

Trafikimi i qenieve njerëzore shkel të drejtat e njeriut dhe ndikon negativisht në jetët e personave të panumërt në Evropë dhe më gjerë. Gjithnjë e më tepër gra, burra dhe fëmijë po tregtohen si mallra, përtej kufijve, ose brenda shteteve të tyre, dhe bien në kurthin e shfrytëzimit dhe të abuzimit.

Kush është viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore?

Çdokush mund të bëhet viktimë trafikimi – gra, burra dhe fëmijë; njerëz të të gjitha moshave dhe statuseve sociale. Njerëzit që bien viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore, për shembull, detyrohen të ofrojnë shërbime seksuale, punë me pak ose aspak pagesë, ose i nënshtrohen heqjes së organeve. Shfrytëzimi shpesh shoqërohet nga dhunë fizike dhe emocionale dhe me kërcënime të viktimave dhe të të afërmve të tyre.

Sipas Konventës një viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore është një person i cili është transportuar, rekrutuar, transferuar, strehuar ose marrë brenda një shteti ose përtej kufijve të një shteti, me anë të përdorimit të kërcënimit, mashtrimit, detyrimit, ose nëpërmjet formave të tjera të paligjshme, për qëllim shfrytëzimi. Një fëmijë konsiderohet si viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore pavarësisht nëse është përdorur ndonjë mjet për të rekrutuar, transportuar,  transferuar, strehuar ose për ta marrë atë për qëllim shfrytëzimi.  “Pëlqimi” i personit për t’u shfrytëzuar nuk ka rëndësi në rast se është përdorur ndonjëri nga mjetet (detyrimi, mashtrimi, abuzimi me pozicionin e vulnerabilitetit, etj.) e përmendura më lart. Për më tepër, një person do të konsiderohet si viktimë dhe në rast se shfrytëzimi nuk ka ndodhur ende, kur ai/ ajo kanë qenë objekt i njërit nga veprimet me përdorimin e njërit nga mjetet.

Çfarë është trafikimi i qenieve njerëzore?

Konventa e Këshillit të Evropës për Masa kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt 2008, e përkufizon trafikimin e qenieve njerëzore si kombinim të tre elementëve: si veprim, rekrutim, transportim, transferim, strehim ose marrje të personave, si përdorimi të mjeteve të caktuara: kërcënimin ose përdorimin e forcës, ose forma të tjera detyrimi, rrëmbim, mashtrim, gënjim, abuzim kompetencash ose të një pozicioni vulnerabiliteti, dhënie ose marrje të pagesave ose të përfitimeve për të marrë pëlqimin e një personi që ka kontroll mbi një person tjetër; për qëllimin e shfrytëzimit: minimalisht, shfrytëzimin e prostituimit të të tjerëve, ose forma të tjera të shfrytëzimit seksual, punë ose shërbime të detyruara, skllavëri ose praktika të ngjashme me skllavërinë, ose heqjen e organeve.

Cilat janë të drejtat e posaçme të fëmijëve viktima të trafikimit?

Përveç të drejtave të sipërpërmendura, të cilat zbatohen për të gjitha viktimat e trafikimit, fëmijët përfitojnë nga të drejtat e mëposhtme specifike:  fëmijëve të pashoqëruar u caktohet një kujdestar ligjor për t’i përfaqësuar ata dhe për të vepruar në interesin e tyre më të mirë;  merren masa për të përcaktuar identitetin dhe nënshtetësinë e fëmijëve dhe, në rast se është në interesin më të mirë për fëmijët, për të gjetur/lokalizuar familjet e tyre; kur mosha e viktimës nuk është e sigurt, por kur ka shkaqe të arsyeshme për të besuar se viktima është nën 18 vjeç, viktima supozohet të jetë fëmijë dhe përfiton masa të posaçme mbrojtjeje në pritje të verifikimit të moshës;  fëmijët kanë të drejtë të përfitojnë masa arsimi dhe ndihme të cilat marrin parasysh nevojat e tyre;  përpara riatdhesimit, që duhet të bëhet vetëm në rast se ai është në interesin më të mirë të fëmijës, kryhet një vlerësim rreziku dhe sigurie;  fëmijët përfitojnë nga masa të posaçme mbrojtje gjatë hetimit dhe proceseve gjyqësore.

Çka parasheh Konventa e Këshillit të Evropës për Masa kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore

Konventa parasheh të  parandalojë trafikimin e qenieve njerëzore,  mbrojë viktimat e trafikimit, ndjekë penalisht trafikantët, dhe të nxisë bashkërendimin e masave ne nivel kombëtarsi dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Konventa zbatohet për: të gjitha format e trafikimit, qofshin ato kombëtare ose përtej kufijve, të lidhura ose jo me krimin e organizuar, xscdfvfbhtdnh, të gjithë viktimat e trafikimit (gra, burra dhe fëmijë), të gjitha format e shfrytëzimit (seksual, punë ose shërbime të detyruara, skllavëri, heqje të organeve). Vlera më thelbësore e Konventës është përqendrimi i saj në të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e viktimave. Konventa e përkufizon trafikimin si shkelje të të drejtave të njeriut dhe si shkelje të dinjitetit dhe integritetit të qenieve njerëzore. Kjo do të thotë që organet kombëtare janë përgjegjëse në rast se ato nuk marrin masa për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore, për të mbrojtur viktimat dhe për të hetuar me efektivitete rastet e trafikimit. Trafikimi i qenieve njerëzore është fenomen mbarëbotëror, i cili nuk njeh kufij. Për këtë arsye Konventa u drejtohet të gjitha shteteve në botë dhe është e hapur për të gjitha këto shtete. Burimi: Këshilli i Evropës/Dijasot.com